Foto: KALLXO.com

Dëshmitari rrëfen për momentin e vrasjes që ndodhi afër hotelit të tij në Prishtinë

Në gjykimin ndaj Avni Mustafës dhe dy të akuzuarve të tjerë, lidhur me rastin e vrasjes në lagjen e Prishtinës “Arbëria” në vitin 2023, ngjarje ku mbeti i vdekur R.T., janë shfaqur pamjet e kamerave të sigurisë të hotelit “Adria”.

Në seancën e datës 10.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës pamjet e kamerave u shfaqën gjatë dhënies së dëshmisë së pronarit të hotelit, Vegim Imeri, i cili kishte qenë prezent në ditën kritike.

Kërkesën për shfaqjen e pamjeve e bëri mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, me arsyetimin se është e nevojshme për mbrojtjen për të parë secilin veprim të dëshmitarit, të ndjerit dhe klientëve të tyre.

Këtë kërkesë të avokatit Berisha e aprovoi kryetari i trupit gjykues, Gent Beka.

Në pamjet e shfaqura në seancë shihej përleshja që i ka paraprirë ngjarjes tragjike që kishte ndodhur në objektin e hotelit “Adria”, në Prishtinë.

Dëshmitari u pyet rreth këtyre pamjeve dhe dha dëshminë e tij.

Dëshmitari Vegim Imeri deklaroi se klientët që kishin qenë në ditën kritike nuk i kishte njohur përveç të pandehurit Mustafë Mustafa.

Në pyetjet e prokurores Fatmire Cacaj, dëshmitari Vegim Imeri deklaroi se kishte qenë jashtë dhe ishte thirrur për të hyrë brenda.

“Ne kemi qenë jashtë me Besnikun në momentin kur i ka parë që mysafirët po çohen, u shku në drejtim të tyre për të bërë pagesën, në momentin që e ka pa që diçka nuk është në rregull është kthyer te unë dhe më ka thënë: “A po vjen të lutem se diçka nuk është në rregull?”- tha dëshmitari Vegim Imeri.

Tutje i njëjti deklaroi se kur kishte hyrë në objekt gjendja kishte qenë e tensionuar dhe i njëjti kishte vepruar gjatë gjithë kohës që ta qetësonte situatën.

Gjatë deklaratës së tij për ngjarjen, dëshmitari rrëfeu se kishte qenë në shok për atë që kishte qenë duke ndodhur brenda objektit të tij dhe kishte dëgjuar fjalë banale, si dhe mbrapa tij kishte dëgjuar “mbushjen” e një pistolete.

Tutje, dëshmitari Vegim Imeri deklaroi se i ndjeri e kishte pasur edhe një mjet të ftohtë në dorën e djathtë të tij dhe kishte tentuar ta sulmojë palën tjetër.

“Veprimet e tij, tërë kohën ka insistu, unë kam qenë në barrikadë aty, e kam lutë, e kam ndalë, kam dalë në pjesën përpara dhe e kam lutë: Mos na shqetësoni! Mos na bëni problem brenda objektit!”- deklaroi dëshmitari Vegim Imeri.

Avokati i palës së dëmtuar, Ndrecë Dodaj, pyeti dëshmitarin lidhur me ngjarjen se çka kishte qenë duke ndodhur në pjesën prapa tij.

Dëshmitari u përgjigj se nuk e kishte parë çfarë është duke ndodhur mbrapa tij, sepse ai kishte qenë i fokusuar në pjesën përpara.

Dëshmitari deklaroi se të akuzuarin Avni Mustafa e kishte parë me armë.

Dëshmitari deklaroi se lutjet e tij për të qetësuar situatën kishin funksionuar brenda objektit.

“Fatmirësisht brenda objektit lutjet kanë funksionu dhe për momentin është evitu problemi, tensionet u ulën, ndërsa jashtë ndodhi ajo çka ndodhi që nuk kisha dashtë me ndodhë”- deklaroi dëshmitari rreth ngjarjes.

Dëshmia e dëshmitarit u ndërpre për arsye të përfundimit të orarit të punës. Dëshminë ai do ta vazhdojë në seancën e radhës.

Kjo çështje penale po gjykohet nga Gent Beka- kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Medije Bytyqi dhe Adnan Kamberi.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 19.03.2023 rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” i cili  gjendet në Prishtinë, i pandehuri Mustafa për shkak të një konflikti pronësor e që dyshohet të jetë për fajde, ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T., në atë mënyrë që së bashku me vëllanë e tij – tani të pandehurin Mustafë Mustafa, takohen me tani të ndjerin R. T. dhe në bisedë e sipër fillojnë që të fjalosen mes vete, nisen që të dalin nga hoteli dhe në dalje të hotelit i akuzuari Avni Mustafa largohet dy-tre hapa majtas nga tani i ndjeri R.T.

Sipas aktakuzës, Avni Mustafa nxjerr nga çanta e dorës revolen, të cilën ia drejton tani të ndjerit R. T., i cili me qëllim të vetëmbrojtjes nxjerr thikën, fillon ta godasë fillimisht të pandehurin Mustafë Mustafa dhe atë një herë në gishtin 2 dhe një herë në gishtin e 5 të dorës së djathtë, dhe një herë në regjionin e majtë të shpinës, e më pastaj e godet shumë herë edhe të pandehurin Avni në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje sipas aktakuzës, duke u rrahur dalin jashtë hotelit dhe në anën e majtë të daljes, në rrahje e sipër, nga afërsia, i akuzuari Avni shtie një herë me revole në drejtim të të ndjerit dhe predha e godet të njëjtin në regjionin e gjoksit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, më këtë sipas prokurorisë ka kryer veprën penale – vrasja.

Po ashtu, sipas aktakuzës, nga koha e papërcaktuar e deri më 19.03.2023, i pandehuri pa autorizim kishte poseduar armën e tipit “Zastava”, me të cilën e kishte kryer veprën penale – vrasja.

Me këtë, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale – armëmbajtja pa leje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën – pjesëmarrje në rrahje,  dhe – armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq i pandehuri Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale – manipulim me prova, pasi që me qëllim të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare ka  pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e  tipit “Zastava” me të cilën akuzohet se kishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij, e të cilën pas kërkesës së Policisë e kishte dorëzuar në Polici.