Dëshmitari rrëfen momentin e vrasjes nga ish-zyrtari policor

Ish-zyrtari policor Vllaznim Hamdia, i akuzuar për vrasje të rëndë ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me tri vepra penale, vrasje të rëndë, armë mbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Në seancën e sotme, u dëgjua dëshmitari Flamur Kastrati i cili ka qenë duke punuar në një furrë të bukës dhe e ka parë nga afër momentin e vrasjes nga ish-zyrtari policor Vllaznim Hamdia (sipas Prokurorisë). Ai tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Polici.

“Nuk di asgjë më shumë se ajo që e kam deklaruar në polici. Identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në rast, nuk mund ta bëjë pasi që nuk i njoh. Nuk e kam parë as aksidentin kur ka ndodhur mes veturës dhe kamionit. Personat që janë përfshirë në rast, janë kacafytur mes veturës dhe kamionit. Pasi personi që është vrarë ka hipur në kamion, një person tjetër ka ardhur aty por vetëm pasi është bërë vrasja dhe ka qenë diku 2-3 metra larg nga vendi ku është bërë vrasja”, tha dëshmitari Kastrati.

Tutje ai tha se e ka parë të akuzuarin duke gjuajtur me armë në drejtim të ndjerit Lulzim Spahiu.

“Unë Vllaznimin e kam parë kur ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës, kurse personave të tjerë asnjërit prej tyre nuk u kam parë asgjë në dorë. Kur Vllaznimi e ka vrarë të ndjerin, dy personat e tjerë kanë qenë afër “Mercedesit”, kurse kur ka ndodhur rasti Vllaznimi ka dasht me gjuajt edhe njëherë me armë por një vajzë nuk e ka lejuar duke e kapur për dore. Gjithë ngjarjen e kam parë nga një distancë prej rreth 20 metrave. Në momentin kur ka gjuajtur me armë në drejtim të ndjerit dhe kur ka dashur të gjuaj prapë me armë, unë kam hyrë brenda në furrë menjëherë dhe nuk e kam parë më se çka ka ndodhur“, tha tutje dëshmitari Kastrati.

Në fund dëshmitari tha se pasi i akuzuari e ka vrarë të ndjerin, e ka rrezikuar edhe djalin e tij (djalin e të ndjerit), Blendin sepse ka dashur që të gjuaj edhe në drejtim të tij por nuk e kanë lejuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij (i akuzuari), shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari  del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Tutje sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale si: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.

Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.

Seanca do të vazhdoj më 11 maj.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dështon seanca ndaj ish-policit të akuzuar për vrasje të rëndë