Dëshmitari: Pranuam informatë nga KALLXO.com se Haradinaj nuk e ka deklaruar një biznes

Në gjykimin ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj- Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë, është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit shefi i Divizionit për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Agron Behrami.

Shefi i Divizionit për deklarimin e pasurisë Agron Behrami, në pyetjet e prokurorit Bekim Kodraliu, deklaroi se me 15 janar 2019 Agjencia Kundër Korrupsionit, kishte pranuar një informacion nga KALLXO.com, me të cilin zyrtarja e lartë Haradinaj nuk ka deklaruar një biznes.

“Sa i përket deklarimit të pasurisë ne e kemi pranuar formularin për zyrtaren në fjalë, por e njëjta nuk ka qenë objekt i kontrollit nga AKK-ja, mirëpo me 15.01.2019 Agjencia ka pranuar një informatë nga KALLXO.com me të cilën dyshohet se zyrtari i lartë publik nuk ka deklaruar një biznes”, tha Behrami.

Tutje i njëjti tha se pas kësaj informate AKK-ja kishte filluar dhe marrë aktvendim për kontrollin, mirëpo sipas tij nuk kishin zhvilluar asnjë procedurë për arsye se kishin pritur edhe deklarimin e pasurisë nga Haradinaj, që do ta paraqiste në vitin 2019.

Më pas dëshmitari Behrami shtoi se me datën 05.02.2019 prokurori Bashkim Zeqa, kishte kërkuar nga AKK-ja, që t`i ofroj të njëjtit informacionet që i posedojnë me rastin, më pastaj dëshmitari tha se AKK-ja gjithë materialet ia kishte dorëzuar prokurorit në fjalë dhe Agjencia kishte mbyllur rastin në fjalë.

Behrami më pas shtoi se ligji kundër korrupsion, flet qartë se kur një rast iniciohet nga organet tjera të drejtësisë, AKK-ja e mbyll rastin, dhe se vetëm informacionet ia përcjell institucionit të drejtësisë.

Më pas kur u pyet se a ka pasur për obligim e akuzuara Haradinaj ta deklaroj biznesin e saj, dëshmitari u përgjigj se në bazë të ligjit e ka pasur për obligim ta deklarojë.

Kurse në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarës Haradinaj, avokates Merita Stublla- Emini, se a e ka obligim një biznes të deklarohet nëse ska qarkullim? Dëshmitari u përgjigj: “Sa i përket ligjit dhe ne si agjencion nuk e kemi të përcaktuar në ligj, rastet kur a ka apo s`ka qarkullim, por vetëm a ekziston biznesi”.

Tutje i njëjti shtoi se ligji nuk e përcakton se cila pasuri duhet të deklarohet, ajo jashtë Kosovës apo brenda saj.

“Sa i përket deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik, ne bazohemi në ligjin për deklarimin e pasurisë që e keni në fuqi në Republikën e Kosovës, dhe sigurisht ky ligj rregullon edhe pozita deklaruese që ushtrojnë funksione në Kosovës, dhe në bazë të parimit ligjor ne kërkojmë deklarimin e pasurisë së zyrtarëve. Nuk e përcakton ligji se cila pasuri duhet m`u deklaru, jashtë Kosovës ose brenda Kosovës”, tha dëshmitari.

Kujtojmë se në fillim të seancës e akuzuar Haradinaj- Stublla është deklaruar e pafajshme për akuzat që i bien në barrë.

“Jam absolutisht e pafajshme”, tha shkurt Haradinaj- Stublla.

Ndërsa në këtë shqyrtim gjyqësor u dha edhe fjala hyrëse ku palët mbeten pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Agron Behrami, seanca përfundoi dhe ajo e radhës u caktua për datën  shkurt 11 shkurt 2021.

Kujtojmë se pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj- Stubllën, me ç’rast të njëjtës i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, Haradinaj- Stublla nuk do të kryente vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ta paguante brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Merita Stublla, kurse pas më shumë se një viti e gjysmë, Gjykata e Apelit mori vendim dhe lëndën e ktheu në pikën zero.

Sipas Gjykatës së Apelit aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Në vendimin e Apelit thuhet se nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin e nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, të cilat i vihen në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetojë elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik e që sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.

Tutje në vendimin e Apelit që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se gjykata e shkallës së parë është dashur që të vërtetojë se vepra penale a është kryer me dashje, si dhe a ka pasur përfitime pasurore nga kryerja e kësaj vepre penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshëm përkitazi me qartësinë e fakteve, për të konsideruar se cilat fakte janë të vërtetuara apo të pa vërtetuara, si dhe për të vërtetuar saktësinë e provave kundërthënëse, e për të ardhur në përfundim me provat të cilat i ka proceduar dhe vlerësuar, që ka rezultuar me mos e vërtetimin e ekzistimit apo jo të veprës penale.

Gjykata e Apelit ka a ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur që të vërtetoj as elementin e ekzistimit të përfitimit nga aksionet e kompanisë përkatëse, se a ka pasur e akuzuara realizim vjetor të të ardhurave dhe a ka qenë kompania aktive.

Sipas Apelit shkalla e parë nuk ka arritur të vërtetoj vlerën e aksioneve se a e mbërrin shifrën sikurse kërkohet që të jetë mbi 50 euro, për raportimin e së njëjtës.

Si rezultat i këtyre paqartësive, të cilat janë vërejtur në aktgjykimin e shkallës së parë, Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se ky rast duhet të kthehet në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj- Stublla kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj- Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj- Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj- Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj- Stublla kishte deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8,500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj- Stublla nuk kishte deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj- Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla.