Dëshmitari pas sulmit izraelit: “Vëllai dhe nëna u dogjën para syve të mi”
Familjarët e një palestinezi që në pamjet e transmetuara anembanë botës shihet duke u djegur prej flakëve që kishin përfshirë tendat pas sulmit izraelit në një qendër spitalore në Gazë, kanë rrëfyer tmerret e përjetuara derisa zjarri kishte mbërthyer kampin, shkruan Reuters.
Izraeli ka bërë të ditur se sulmi i së hënës kishte cak një komandant dhe një qendër kontrolli të “Hamasit” në spitalin “Martirët e Al-Aksës” në Deir al-Balah dhe se po heton shkakun e flakëve, por beson se zjarri është shkaktuar prej ndonjë shpërthimi të dytë. Akuzon “Hamasin” se po i përdor civilët qëllimshëm për të pësuar derisa po operon nëpër zona banimi. “Hamasi” ka mohuar se në kamp kishte militantë në momentin e sulmit.
Pamjet e rënda të incidentit kanë shkaktuar reagime të ashpra në kohën kur Izraeli po përballet me shqetësimin e shprehur nga aleatët për qasjen e tij në luftë në Gazë. Departamenti amerikan i Shtetit e ka përshkruar incidentin si “të tmerrshëm”.
Dëshmia e të mbijetuarit
Pamjet pas sulmit kanë treguar Shaban al-Daloun, i cili do t’i mbushte 20 vjet të mërkurën, të shtrirë në shpinë nëpër rrënoja të djegura dhe duke lëvizur krahët derisa flakët e mbërthejnë në mbarë trupin.
Tre persona të tjerë vdiqën, përfshirë nënën e Dalout, Ala’a Abdel Nasser al-Dalou, 37 vjeç.
“Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën teksa po shihja vëllain dhe nënën në flakë duke u djegur para syve të mi”, ka thënë vëllai më i vogël i Dalout, Mohammedi, 17 vjeç, i cili tha se kishte dalë nga tenda në momentin që e kishte dëgjuar shpërthimin.
Skena fillestare e tmerrit ishte xhiruar prej shumë dëshmitarëve derisa xhirimet u postuan në internet dhe u shfaqën në raportet e mediumeve më të mëdha të botës. Reutersi ia ka dalë të verifikojë kohën dhe lokacionin e dy xhirimeve të incidentit, që përkojnë me strukturat, rrënojat dhe ulëset e hapësirës përreth.
Një gazetar i kontraktuar nga Reutersi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka parë me sytë e tij derisa një punëtor i kërkim-shpëtimit e ka nxjerrë trupin e shkrumbuar të Dalout duke e nxjerrë me një batanije.
Izraeli thotë se sulmoi “terroristët”
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se kishte kryer “një sulm preciz kundër terroristëve të cilët po operonin brenda një qendre komande dhe kontrolli në zonën e një parkingu” afër spitalit. “Menjëherë pas sulmit ajror, një zjarr në hapësirën e parkingut me gjasë shpërtheu nga shpërthimet e pastajme. Incidenti po hetohet. Spitali dhe funksionaliteti i tij nuk janë prekur nga sulmi”, ka shtuar ushtria izraelite.
“Ushtria izraelite po merr një numër hapësh për të mitiguar rrezikun e dëmtimit të civilëve, përfshirë përdorimin e municioneve precize, mbikëqyrjen e zonës dhe inteligjencën shtesë”, ka njoftuar ushtria izraelite.
“Hamasi” i ka hedhur poshtë pretendimet izraelite se po përdor vendbanimet civile.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se çfarë mund t’i ketë shkaktuar shpërthimet e pastajme në tenda refugjatësh.
Në një xhirim të verifikuar nga Reuters, një grumbull prej më shumë se 20 shpërthimesh mund të dëgjoheshin derisa tenda po digjej, si dhe dy shpërthime të tjera që nxitën fluturim të gjësendeve të imta. Një mjek në spital i ka thënë Reutersit se shpërthimet e pastajme ishin të kanistrave të gazit që i përdorte familja e viktimave për zierje. Reutersi nuk ka qenë në gjendje që ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
“Nuk mund ta them me fjalë sesa e rëndë ishte”
“Dëgjova jehonën e shpërthimit. Këqyra përreth dhe pashë tym të zi afër tendës tonë”, ka thënë Mohammed al-Dalou, duke folur për Reutersin në lokacionin e sulmit në Deir al-Balah, ku ende kishte mbetje të shpërthimit dhe djegies në vendin ndërmjet tendave të dikurshme.
Ai kishte dalë nga tenda dhe kishte parë babanë duke i nxjerrë fëmijët e tjerë më të vegjël. Pastaj e ba vëlla Shabanin në flakë. U mundua t’i afrohej, por njerëzit nuk e lanë.
Halla e Dalout, Karbahan al-Dalou dhe familja e saj ishin gjithashtu aty. “U ngrita papritmas prej zjarrit që po digjej afër meje dhe fëmijëve të mi”.
Ajo pa nipin dhe kunatën që po digjeshin dhe po i lëviznin duart. “Nuk mund ta them me fjalë sesa e rëndë ishte”, ka thënë ajo në spitalin “Nasser” në Khan Younis, ku familja e saj ishte dërguar pas zjarrit.
Izraeli ka nisur fushatën e tij ushtarake në Gazë në kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit 2023 kur militantët e “Hamasit” sulmuan rrethojat kufitare dhe bastisën komunitetet izraelite, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe marrë peng 253 të tjerë, bën të ditur Izraeli.
Më shumë se 42 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë, ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com