Dëshmitari në vendin ku ndodhi zjarri në Prishtinë: Tre policë shpëtuan një fëmijë, duhet të shpallen heronj

Arsim Vranovci ka qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes ku një ndërtesë u përfshi nga zjarri, mesditën e së enjtes në lagjen “Tophane” të Prishtinës.

Ai para kamerave tha se është dëshmitar i një heroizmi të Policisë së Kosovës, pasi tre policë kanë arritur të shpëtojnë një fëmijë.

“Këta e kanë bo një punë, që neve banorëve na bëjnë të sigurtë. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme t’i shpallë heronj të ditës sepse kanë shpëtuar një fëmijë në një banesë, i cili kishte arritur që të largohet nga banesa e vet dhe të vendosjet në një objekt tjetër”, ka thënë Vranovci.

“Policët nga një lartësi aq e lartë kanë kërcyer dhe shpëtuar fëmijën. Ne si banorë jemi të lumtur që kemi polic të tillë dhe që e kemi Policinë e Kosovës.

Duke mos lënë anash edhe zjarrfikësit, të cilët me shpejtësi dhe profesionalizëm kanë ardhur në vendin e ngjarjes dhe faleminderit zjarrfikësve dhe Policisë së Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Vranovci po ashtu ka shtuar se janë evakuar edhe tre fëmijë të tjerë dhe një grua, që kanë qenë në një objekt afër ndërtesës e cila u përfshi nga zjarri.

“Gjithashtu janë shpëtu edhe tre fëmijë dhe një grua, të cilët kanë qenë të vendosur në shtëpinë përballë këtij objekti”.

Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës ka bërë të ditur se ekipet e policisë dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes,

Sipas tij, deri tani nuk ka raportime për ndonjë person të lënduar, përpos dëmeve materiale.