Dëshmitari në ‘Stenta 2’ rrëfen si i vdiq nëna 3 ditë pasi i ngjitën stentën

Gjykimi ndaj 40 kardiologëve në procesin e njohur si “Stenta 2” vazhdoi me rrëfimin e dëshmitarit Arben Berisha të cilit i kishte vdekur nëna në një spital privat.

Berisha rrëfeu për gjykatën se pasi nëna e tij Zymrije Berisha kishte vendosur stentën kishte vdekur në spitalin privat turk “IMH”.

Mjekët në këtë rast akuzohen se referuan pacientët në spitale private dhe patën përfitime nga kjo skemë.

Dëshmitari tregoi se fillimisht  nënën e  kishte dërguar në QKUK e pastaj nga QKUK në Spitalin Amerikan e pastaj në spitalin privat “IMH”.

Ai tha se në QKUK mjeku kujdestar Fisnik Hima  i kishte thënë “për këtë rast nuk mundemi  me bo asgjë se nuk kena mjete për me i vendos stentat andaj duhet me u transferu në spitalin turk “IMH” ose  ku t’ua merr mendja juve”.

Berisha shtoi se e kishin dërguar nënën në Spitalin Amerikan ku asaj ishte bërë një analizë e cila nuk  kishte rezultuar me infarkt dhe iu dha  vetëm një terapi.

Tre ditë pas terapisë së dhënë në Spitalin Amerikan dëshmitari Berisha tregoi për gjykatën se nënën e kishte dërguar për kontroll te doktori Kelmend Pallaska I cili i kishte thënë se nëna e dëshmitarit kishte pasur dy sulme në zemër dhe i duhej të shtrihej në QKUK.

Tutje Berisha rrëfeu se mjekët në QKUK kishin refuzuar ta pranojnë pacientin Zymrije Berisha por pasi kuptuan se doktor Kelmend Pallaska ka udhëzuar dërgimin në QKUK e pranuan atë.

Atë natë sipas dëshmitarit, mjek kujdestar ishte Fisnik Hima i cili I kishte thënë se në mungesë të mjeteve nuk munden me bë asgjë dhe i rekomandoi të njëjtit që nënën ta dërgojnë në spitalin privat turk “IMH”.

“Në QKUK erdhi një një autoambulancë e spitalit ‘IMH” dhe e mori nënën, pastaj i bënë koronografinë e cila kushtoi 700 euro dhe thanë se duhet të operohet pasi e ka zemrën të mbyllur nga tensioni i lartë” tha Berisha.

Në Spitalin ‘’IMH” i kanë ngjitur një stentë dhe thanë se operacioni është kryer me sukses, por pas tri ditë nëna ime vdiq në spital” vazhdoi dëshmitari Arben Berisha.

Ai tha edhe se spitali  “IMH” kishte pyetur se a dëshirojnë ta kryejnë obduksionin e nënës së tij por ky kishte refuzuar.

I pyetur nga I akuzuari Fisnik Hima se “ a keni ndonjë ankesë ndaj meje”, dëshmitari Berisha u përgjigj “ nuk kam asnjë vërejtje ndaj jush”.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Lulzim Kadriu,  Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronografi kanë marrë nga 150 euro.