Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Në emër të detyrimit të akuzuarit Asdren Mekaj i janë paguar rreth 400 mijë euro

Zef Gruda, babai i të dëmtuarit Pal Gruda, gjatë deklarimit të tij në Gjykatë ka thënë se Pali i ka dhënë të akuzuarit Asdren Mekaj rreth 400 mijë euro në emër të detyrimit.

Asdren Mekaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka përdorur shantazhe dhe kërcënime ndaj Pal Grudës, duke e detyruar t’i japë të holla dhe makina në periudha të ndryshme në vlerë rreth 200 mijë euro.

Gjatë ditës së martë, dëshmitari Zef Gruda për trupin gjykues rrëfeu kërcënimet që i janë bërë familjes së tij dhe Palit.

Sipas Grudës, kërcënime kishin marrë fillimisht nga Kqirajt e më pas nga Asdren Mekaj. E për këtë shkak ai theksoi se jeton me roje.

Dëshmitari Gruda sqaroi një rast në të cilin sipas tij makina të ndryshme i shkonin në shtëpi dhe lokal.

“Prej vitit 2013 e këndej kam pasur vazhdimisht kanosje sepse para shtëpisë sime kanë ardhur kerre të llojllojshme, ku ato vetura janë ndalur para lokalit tim-vendit të punës, para shtëpisë ku famija ime dhe Pali e ka parë se brenda në veturë është Asdren Mekaj…”, tha Gruda.

Ai më tej deklaroi se në Polici kishte dorëzuar shënime të cilat ishin evidentuar si pagesa të bëra nga ana e djalit të tij kinse në emër të borxhit.

“Paratë janë dhënë në emër të detyrimit, haraçit e që në fakt në dokument është dashur të shënohet kinse po jepet në emër të borxhit”, tha dëshmitari.

Gruda pretendoi se këto para i janë dhënë Asdren Mekajt.

“E kam kuptuar se paratë janë dhënë në emër të detyrimit Asdrenit…paratë janë kërkuar kohë pas kohe e shuma totale e këtij borxhi është 400 mijë euro”,deklaroi dëshmitari.

Në vijim të gjykimit dëshmitari Gruda mbështeti pohimet e bëra ku kishte thënë se Asdren Mekaj i kishte shitur vetura me fajde Palit.

“Unë këtë rast e kam shpjeguar, Asdreni i ka dhënë shumë vetura me fajde Palit saktë nuk e di sa por të gjitha këto janë dhënë nga viti 2010-2013 këto dallavera në Shqipëri i kanë bërë”, tha Zef Gruda.

Ai shpjegoi edhe mënyrën se si këto vetura i ishin marrë pastaj me forcë.

“Ai veturat i ka shitur, por, të njëjtat i ka kthyer në fajde derisa të njëjtat nuk i ka përkthyer dhe nuk i ka bartur në emër të Palit të gjitha këto vetura prapë ia ka marrë me forcë”, sqaroi dëshmitari.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre e njëjta do të vazhdojë më 21 prill.

Më 17 janar 2018, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Asdren Mekajt për shkak të kryerjes së veprës penale  detyrimi.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Mekaj ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata e Prizrenit më 31 gusht 2019 ka marrë aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se Prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

Asdren Mekaj, ndaj të cilit po zhvillohet procesi, është djali i gjyqtares së Krimeve të Rënda, Nushe Mekaj dhe kushëri i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Shkrimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.