Foto: BIRN

Dëshmitari kundër Mlladiqit në Hagë kërkon "Triumfin e Drejtësisë"

Nermin Karagiq nga Prijedor në Bosnjë, i cili i shpëtoi vdekjes si 17-vjeçar duke ikur dy herë nga vendet e ekzekutimit dhe më vonë dëshmoi në Tribunalin e Hagës në gjyqin ndaj Ratko Mlladiqit, tha se ai shpreson që drejtësia të triumfojë.

Karagiq tha se ai u kthye në fshatin e tij të Rizvanovici pas luftës por gjeti vetëm rrënoja, prandaj shpreson që Mlladiq dhe të gjithë autorët e tjerë të krimeve në zonë të dënohen.

“Duke marrë parasysh atë që ndodhi këtu, ju mund të shihni se vetëm dy ose tre nga kaq shumë shtëpi janë të banuara. Duke marrë parasysh pozicionin e tij, ai duhet të marrë dënimin që meriton”, tha ai për BIRN.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të vendosë sot mbi apelin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, mbi akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës.

Në këtë krim, që ka ndodhur gjatë luftës në Bosnje më 1995, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në seancën e tij të apelit në Hagë, gushtin e kaluar, Mlladiq e ka cilësuar gjykatën si një “fëmijë” të fuqive perëndimore.

Avokatët e tij kanë thënë se Mlladiq ka qenë larg Srebrenicës kur ka ndodhur masakra.

Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj të vitit 2012.

Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.

Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.