Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Dëshmitari i pestë fillon dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së 

Dhënien e dëshmisë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar ta japë dëshmitari i pestë.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet seanca kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të mërkurën, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se rrëfimi i dëshmitarit të pestë do të bëhet në seancë të mbyllur për publikun.

Paraprakisht, dëshmitari i katërt i identifikuar me kodin 4748 ka përfunduar rrëfimin e tij.

Pas mbrojtjes së Rexhep Selimit, dëshmitari i është përgjigjur edhe pyetjeve të parashtruara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

Deri tani, katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani,140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.