Foto: Kallxo.com
Dëshmitarët nuk ndihen të sigurt të dalin para Gjykatës për vrasjen e vitit 1999
Sot pritej që para Gjykatës së Pejës të dalë Bujar Bajraktari, i akuzuar për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999.
Por seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të pamundësisë së lidhjes me video-link me dëshmitarët dhe të dëmtuarit.
Gjykatësja e çështjes, Violeta Husaj Rugova, tha për KALLXO.com se nuk ka qenë e mundur lidhja me dëshmitarët që janë jashtë shtetit.
Rugova shtoi se ata nuk ndihen të sigurt të vijnë këtu në Gjykatë dhe të deklarohen për çështjen.
Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë për datën 12 prill.
Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 1999, Bajraktari pas një fjalosjeje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.
Dosja e Prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.