Dëshmia e të dënuarit me 30 vite burgim, mbyllet për publikun seanca ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit

Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdari, të akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Arben Hoti mori vendim që seanca e sotme gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitari i mbrojtjes të mbyllet për publikun.

Seanca u mbyll pas kërkesës së dëshmitarit të mbrojtjes Shkumbin Mehmeti.

I njëjti, pasi u prezantua në sallën e gjykimit, kërkoi nga trupi gjykues që për shkak të ndjeshmërisë së rastit të përjashtohet publiku.

Në seancën e fundit e cila është mbajtur më datën tre maj të këtij viti, të akuzuarit kishin deklaruar se nuk do të deklaroheshin deri sa të sillej Shkumbin Mehmeti si dëshmitarë.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga  Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikur në LINK