Dëshmia e Shkumbin Demalilajt para gjykatës në rastin e njohur si 'Veteranët'
Në Gjykatë e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësorë në rastin e njohur si “Veteranët”, me të cilën ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë, akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e sotme kanë dhënë mbrojtjen e tyre ish deputeti i Kosovës, Shkumbin Demalilaj, si dhe Qelë Gashi, Xhavit Jashari, Smajl Elezaj dhe Fadil Shurdhaj.
Kujtojmë se në seancën e kaluar mbrojtjen e ka dhënë edhe ish kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe Nuredin Lushtaku.
Ndërsa për shkak të përfundimit të orarit të punës së gjykatës mbeti në gjysmë dhënia e mbrojtjes nga i akuzuari Sadik Halitjaha, e cila do të vazhdojë ditën e nesërme.
Kurse nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj është ndaluar publikimi në media i dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve, me arsyetim se të akuzuarit mos të jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarve tjerë gjatë marrjes në pyetje.
Gjykatësja Mekaj ka thënë se pasi të gjithë të akuzuarit do ta përfundojnë dhënien e mbrojtjes së tyre, mund të publikohen deklarimet e të akuzuarve në media.
Kurse i akuzuari Fadil Shurdhaj seancën gjyqësore e ka përcjellë në mënyrë virtuale përmes platformës Zoom, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88,769,217.04 euro