Gisele Pelicot. Foto: AP
Dëshmia e gruas që e drogonte burri para se t’ia dërgonte dhunuesit në shtëpi
Një grua, që dyshohet se u drogua nga tashmë ish-burri i saj me qëllim që ajo të mund të dhunohej prej burrave të tjerë derisa nuk kishte vetëdije ka dëshmuar në një gjykatë franceze, duke treguar se kishte humbur ndjenjat kur policia mësoi për abuzimin e saj për vite me radhë.
Duke folur me një zë të qetë dhe të qartë, Gisele Pelicot, ka dëshmuar hollësisht me vendosmëri të jashtëzakonshme për tmerrin kur kishte mësuar se ish-burri i kishte filmuar sistematikisht shumë prej dhunimeve të dyshuara – duke i ruajtur imazhet që më vonë i kishte gjetur policia, shkruan AP.
“Është e papërballueshme”, ka deklaruar ajo para trupit gjykues në qytetin jugor francez, Avignon, gjatë dëshmisë së saj prej një ore. “Kam aq shumë për të thënë saqë nuk di se nga t’ia filloj”.
Dominique Pelicot, tani 71 vjeç, dhe 50 burra të tjerë tani po gjykohen për akuzat për dhunim të rëndë dhe rrezikojnë të dënohen me nga 20 vjet burgim. Gjykimi ka nisur të hënën dhe pritet të vazhdojë deri në dhjetor. Të enjten(05.09.2024) ishte dita e parë që Gisele Pelicot, gjithashtu në të shtatëdhjetat, dëshmoi për rastin.
Agjencia e lajmeve, “The Associated Press”, përgjithësisht nuk i identifikon viktimat e krimeve seksuale. Por, avokatja e Gisele Pelicotit, Stephane Babonneau, ka thënë se viktima ka pranuar t’i publikohet emri, sikur kishe ngulmuar që edhe gjykimi të jetë publik.
Gjykimi publik si mbështetje për gratë tjera viktima
Ajo ka thënë se shpreson që dëshmia e saj mund të ndihmojë që gratë tjera të mos përballen me tmerre të ngjashme. Ka thënë se ka kërkuar që gjykimi të jetë i hapur me qëllim që të solidarizohet me gratë tjera që mund të jenë viktima të panjohura të krimeve seksuale.
Ajo dhe burri i saj gjatë pesëdhjetë viteve martesë u bënë prindër të tre fëmijëve. Kur u pensionuan, çifti u zhvendosën në një shtëpi në Mazan, qytezë në Provence.
“Mendoja se ishim çift i lidhur ngushtë”, ka deklaruar ajo në gjykatore.
Por në fund të vitit 2020, një agjent sigurie e zuri burrin e saj duke fotografuar gratë në pjesën intime në një supermarket, duke i nxitur hetuesit që të bastisnin celularin dhe kompjuterin e Dominique Pelicotit. Ata gjetën mijëra fotografi dhe xhirime të burrave që duket se e dhunonin Giselen në shtëpinë e tyre derisa ajo duket se nuk kishte vetëdije.
Kur policia e ftoi gruan që ta merrte në pyetje, fillimisht u kishte thënë policëve se burri ishte “një njeri i mrekullueshëm”. Por pasi ishte përballur me atë që nuk do të mund ta merrte me mend – policia i kishte disa prej pamjeve – ajo u nda me burrin.
“Për mua gjithçka u shemb”, ka dëshmuar ajo. “Këto janë skena barbarizmi, dhunimi”.
Ajo u largua nga shtëpia me dy valixhe në duar, “krejt çfarë kishte mbetur prej 50 vjetëve të jetës tonë së bashku”. Prej atëherë, ka thënë ajo: “Më nuk kam identitet… nuk e di nëse më do të mund ta rimarr veten”.
Hetuesit policorë gjetën komunikimet që besohet se Dominque Pelicot i kishte dërguar në një uebfaqe mesazhesh, zakonisht e përdorur prej kriminelëve, ku i ftonte burrat që t’ia dhunonin seksualisht gruan. Autoritete franceze e kanë mbyllur tashmë faqen.
Hollësitë e ashpra të abuzimeve të dyshuara, të cilat hetuesit thonë se nisën më 2011, dhe sistemi që e kishte krijuar i dyshuari kryesor për dhjetë vjet, janë ekspozuar me hollësi në seancë.
“Rregullat për përdhunuesit”
Dominique Pelicot u ka thënë hetuesve se burrat e ftuar në shtëpinë e çiftit kishin ndjekur disa rregulla – ata nuk mund të flisnin me të madhe, duhej të zhvisheshin në kuzhinë, dhe se as nuk mund të mbanin erë parfumi a duhani.
Ata nganjëherë duhej të prisnin një orë e gjysmë në një parking në afërsi që substanca narkotike të kishte efekt të plotë dhe që Gisele Pelicot të mos kishte vetëdije.
Toksikologu ka dëshmuar të enjten për një “koktell” ilaçesh, një përzierje e “Tennestas” dhe “Zolpidemit”, ilaçe hipnotike dhe ankthi. Një ekspert mjekësie ka thënë se dhunuesive nuk u lejohej të përdornin prezervativë dhe se Gisele Pelicot ishte infektuar me katër lloje sëmundjesh të transmetueshme.
“U bëra kurban në altarin e të ligës”, ka thënë Gisele Pelicot. “Ata më trajtuan si kukull prej leckash, si qese mbeturinash”.
Meqë Dominque Pelicot kishte xhiruar dhunimet e dyshuara, policia ia kishte dalë të identifikonte – gjatë një periudhe dyvjeçare – shumicën prej 72 të dyshuarve.
Pos Pelicotit, edhe 50 burra tjerë, prej 22 deri në 70 vjeç, janë nxjerrë para drejtësisë. Shumë të akuzuar po i hedhin poshtë akuzat ndaj tyre, duke pretenduar se ishin manipuluar prej Pelicotit.
E pyetur në seancë, Gisele Pelicoti e ka hedhur poshtë argumentin se ndonjëri prej burrave ishte manipuluar ose mashtruar.
“Këta burra hynë në shtëpinë time, respektuan protokollin e imponuar. Ata nuk më dhunuan me armë në kokën e tyre. Ata më dhunuan me vetëdije të plotë”, ka thënë ajo. “Pse nuk shkuan ne stacionin policor? Edhe një telefonatë anonime do të mund të më shpëtonte”.
Gjatë muajve të ardhshme, të akuzuarit do të dalin në grupe të vogla para trupit gjykues, me Pelicotin që pritet të merret në pyetje javën e ardhshme. Psikologë, psikiatër dhe ekspertë kompjuterësh do të dëshmojnë gjithashtu.
Para gjykatës, Gisele Pelicot u ka thënë gazetarëve se ishte munduan t’u përgjigjej pyetjeve të avokatëve në mënyrën më të mirë të mundshme, pavarësisht presionit që ndjente para gjithë këtyre “individëve” prapa vetes.
“Do të na duhet të luftojmë deri në fund”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com