Dëshmi se si u implikua Albin Kurti në përzgjedhjen e bordit të KPMM-së

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci- Pllana, ka thënë se përpara se emri i saj të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim ajo ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Për takimin ajo ka thënë se ka qenë i shkurtë, e pas këtij takimi ajo ishte emëruar kryesuese e KPMM-së.

“Kemi qenë në një bashkëbisedim, nuk ka qenë as intervistë, kanë qenë 5 minuta, tha vetëm CV juaj po më intereson. I tregova që kam punuar në KEK, me profesion jam juriste. Unë i thash që mendoj që në përputhje me Ligjin për miniera kam me i zbatu të gjitha dispozitat e parapara në ligj” – ka thënë ajo.

Grajqevci- Pllana është pyetur edhe për lidhjet me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

“S’kam pasur kurrfarë lidhje, burri ka qenë më herët si anëtar i LVV-së, kam aplikuar edhe më herët, nuk kam ardhur në shprehje. Unë ndoshta si simpatizuese se kurrgjë tjetër më LVV-në nuk kam” – ka thënë ajo.

Takimin me kryeministrin përpara se të votohen në Kuvend e kanë konfirmuar edhe anëtarët Gani Maliqi, Jahir Gashi dhe Gani Kastrati.

Jahir Gashi në një përgjigje për KALLXO.com ka dhënë detaje për diskutimin e tij me kryeministrin Kurti.

“E konfirmoj se kam pasur takim me kryeministrin para se të zgjidhem anëtar i bordit dhe për këtë ju siguroj se biseda ka qenë shumë konstruktive dhe atë vetëm lidhur me përvojën dhe përgatitjen profesionale që kam ndër vite” – ka thënë ai.

“Takimi nuk ka zgjatur më shumë se ndërmjet 5 deri 10 minuta dhe fare nuk ka pasur karakter të intervistës siç po pretendohet nga disa të tjerë. Është takimi i parë dhe i vetmi deri me tani” – ka shtuar ai.

Ndërsa anëtarja Rrezarta Pushkolli- Makolli ka mohuar të ketë zhvilluar takim me kryeministrin Kurti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit për të marrë përgjigje për arsyet e këtyre takimeve, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka dhënë përgjigje.

Selvete Grajqevci Pllana së bashku me anëtarët Gani Maliqi, Gani Kastrati, Jahir Gashi, Rrezarta Pushkolli-Makolli janë emëruar në bordin e KPMM-së në seancën e 6 dhjetorit 2021.