Zyrtari i IKShPK-së filmohet duke i marrë paratë

Sonte KALLXO.com transmeton pamje ekskluzive të arrestimit të një laboranti teknik të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Një informacion i cili është trajtuar nga KALLXO.com që nga fillimi i kësaj jave, rezultoi me arrestimin e një laboranti i cili dyshohej se po kryente teste të COVID-19 në mënyrë të përshpejtuar e duke marrë mito.

Në reportazhin e sotëm do të ndiqni filmime ekskluzive se si gazetarja e KALLXO.com, kryen testin e COVID-19 brenda IKSHPK-së, pa pasur paraprakisht një udhëzim dhe pa i respektuar procedurat e tjera.

Filmimet të cilat do të shfaqen sonte do të tregojnë se si gazetarja hyn dhe i merren mostrat për testim ndërsa nga një punonjës i IKSHPK-së sigurohet se do ta marrë rezultatin në më pak se 24 orë.

Marrëveshja për të paguar testin mes laborantit dhe gazetares do të bëhej të nesërmen kur edhe do të merrej rezultati për COVID-19.

Gjatë ditës së sotme, pas bashkëpunimit mes KALLXO.com dhe Departamentin e Krimeve Ekonomike, këta të fundit arritën që të vënë në pranga një laborant teknik në IKSHPK, i cili përveç që nuk respektonte procedurat e testimit, ai merrte edhe mito nga qytetarët duke bërë marrëveshje për të përshpejtuar rezultatin e testit PCR të COVID-19.

Reportazhi për marrjen e mitos nga laboranti i IKSHPK-së transmetohet sonte nga ora 20:30 në Televizionin Dukagjini.