Dëshmi emocionale e ish-referentes së Gjykatës

Me emocione e dridhje zëri, ka dëshmuar si e akuzuar, ish-referentja e Gjykatës Supreme.

Bukurije Haxhimurati po akuzohet se ka marrë para për të ndikuar për lirimin ose zbutjen e dënimit për dëshmitarin “C”. Në këtë rast akuzohen Burim Veseli dhe Remzi Murseli.

Para gjykatësis, Haxhimurati kërkoi përballjen me këtë dëshmitar. Ajo tha se më parë do të dontë që sëmundja që ka t’ia marrë jetën sesa të paraqitej sot në gjykatë.

“Nëse dëshmitari C ballafaqohet me mua që unë kinse i kam marrë të hollat unë tash nënshkruaj  të më dënoni me vdekje.Unë 40 vite kam punuar në sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe lë të dalë një gjyqtar ose punëtor që unë kam thanë për një lëndë ose për ndonjë person”, tha ajo.

Ky rast ishte nisur nga prokuroria e misionit EULEX. Sipas të akuzuarës, ata i kishin kërkuar që të jepte emrat e gjyqtarëve në shkëmbim të lirimit të saj.

“Prokurorja e Eulexit  më ka thënë nuk kemi punë me juve, ti je peshk i vogël dhe ski të bëjë me këtë, kërkoj prej teje vetëm një emër të gjyqtarëve të gjykatës Supreme edhe ti shkon në shpi’’, dëshmoi Haxhimuarti.

Ajo më pas tha se nuk do të mbrohet pa u ballafaquar me dëshmitarin ‘’C’’

Gjykatësi Beqir Kalludra këtë deklarim e konsideroi si mbrojtje në heshtje.

Mborjtësi Isak Hoxha deklaroi se i akuzuari tjetër, Burim Veseli ka qëndruar katër muaj në dhomën e paraburgimit me dëshmitarin C dhe pa u ballafaqur me të nuk dëshiron të deklarohet.

Gjykatësi Kalludra edhe për të akuzuarin Burim Veselin konsideroi se do të mbrohet në heshtje.

Sipas aktakuzës, Haxhimurati ka marrë 13 mijë e 500 euro për të ndikuar në lirimin ose zbutjen e dënimit të të dënuarit nën emrin “Dëshmitari C”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bukurije Haxhimurati kishte marrë edhe 500 euro të tjera  nga të pandehurit Burim Veseli dhe Remzi Murseli, të cilat ua kishte dhënë “Dëshmitari C” me qëllim të lirimit të tij nga dënimi ose zbutjes së dënimit.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, e njëjta shumën prej 13.500 euro e kishte marrë për të ndikuar në vendimmarrje të personave zyrtarë në sistemin gjyqësor të Kosovës për t’u liruar nga dënimi ose të paktën për t’iu zbutur dënimi “Dëshmitarit C”.