Deri në vitin e ardhshëm do të shpërndahen një miliard vaksina kundër COVID-19 nëpër vendet e varfra

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në një konferencë për media pas takimit me liderët e vendeve më të pasura, që njihet ndryshe si takimi i G7-ës, ka thënë se deri në vitin e ardhshëm, do të shpërndahen një miliard doza të vaksinave kundër COVID-19 në vendet e varfra.

Kjo do të bëhet në mënyrë direkte apo edhe përmes skemës COVAX. Prej tyre 100 milionë vaksina do të ndahen nga Britania e Madhe, raporton BBC.

Johnson tha se bota po kërkon nga liderët e G7-ës për të lëvizur përtej përgjigjeve fillestare ndonjëherë “nacionaliste” dhe egoiste ndaj pandemisë.

“Është një hap tjetër i madh drejt vaksinimit të të gjithë botës”, tha Johnson.

Ai gjithashtu përmendi vaksinën e prodhuar nga Oxford / AstraZeneca, duke thënë se është “vaksina më e njohur në botë”.

Është e njohur natyrisht sepse po shitet me kosto të ulët, tha Johnson, duke e quajtur atë “një akt bujarie” nga AstraZeneca.

96% e vaksinave të dërguara nga COVAX kanë qenë Oxford / AstraZeneca, ka deklaruar Johnson.