Ilustrim

Deri në tri vjet pritje për shërbim në QKUK

Zahije Shala, një grua në të 50-tat nga Malisheva, thotë se i është dashur të presë tre vjet për të kryer një operacion në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Vetëm tash, pas gjithë asaj pritjeje, kam arritur ta kryej operacionin në këmbë” – thotë Zarifja.

Ajo kishte probleme me venat e gjakut dhe është gati të përfundojë rikuperimin në spital. Thotë se pritja e gjatë për operacion ia ka rënduar si sëmundjen, ashtu edhe gjendjen psikologjike.

Si Zarifja janë edhe qindra pacientë të tjerë në klinika të ndryshme të QKUK-së, që presin me muaj apo vite për t’iu nënshtruar operacioneve. Disa nuk arrijnë, sepse vdesin ndërkohë.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, thotë se pritjet kanë qenë edhe më të gjata deri para dy vjetësh, kur klinika që udhëheq ai, nuk ka pasur sallë operacioni dhe shërbimi është kryer në klinika të tjera.

Pritja ka zgjatur “katër deri në pesë vjet” – thotë ai.

“Tani kemi sallë operacioni, por kemi mungesë të anesteziologëve” – thotë Rudari për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, pacientët e sëmurë rëndë trajtohen me prioritet – të tjerët presin.

“Çështja e operimit të venave është patologji që edhe nëse pret, pacienti nuk rrezikon asgjë” – thotë Rudari.

Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është e vetmja në Kosovë që merret me patologjinë e venave, të arterieve, të shputës diabetike e të tjera. Në gjashtë muajt e fundit, aty janë kryer rreth 200 operacione – përfshirë raste urgjente dhe nga lista e pritjes. Klinika funksionon me 13 kirurgë dhe ka 24 shtretër për pacientët nga gjithë Kosova.

“Kur nuk ke para të shkosh në privat, duhet të presësh”

Situatë e ngjashme me pritje është edhe në Klinikën e Radiologjisë të QKUK-së.
Pajazit Ademi thotë se mjekët i kanë rekomanduar t’i bëjë rrezatim krahut në muajin shkurt. Terminin për këtë shërbim, që njihet edhe si CT, e ka më 16 shtator.

“Prej muajit shkurt jam duke pritur. Kam pasur ta bëj në muajin e 11-të, por më kanë thirrur dhe ma kanë caktuar një datë për këtë muaj. Pritja është e mundimshme, por kur nuk ke para të shkosh në [institucion] privat, duhet të presësh” – thotë ky pensionist nga Prishtina, duke u ankuar për përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, pranon se rastet ambulantore presin 10 deri në 11 muaj për shërbime, ndërsa të hospitalizuarit, sipas saj, kanë prioritet.

“[Pritjet ndodhin] sepse në disa komuna të Kosovës, nuk po kryhen rrezatime, edhe pse ato i kanë aparaturat”, thotë Nuza për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar ndonjë komunë.

Ka raste kur pacientë nga lista e pritjes vdesin

Në Klinikën e Radiologjisë punojnë rreth 30 radiologë dhe brenda ditës kryhen mbi 20 rrezatime.

REL ka arritur të shohë listën e pacientëve që presin për CT në këtë klinikë dhe për emrin e fundit në listë figuron data 1 gusht 2023.

“Lista, herë pas here, pëson ndryshime, pasi që ka pacientë që kryejnë punë edhe në spitale private. Ka raste edhe kur pacientët më në moshë vdesin” – thotë një infermiere e Kardiologjisë, e cila nuk dëshiron të identifikohet.

Antigona është një tjetër grua – në të 30-tat, nga Komuna e Lipjanit – që ka pritur tre muaj për t’iu nënshtruar një operacioni në gji në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së.

Ajo ka hyrë në sallë paraditen e 8 shtatorit.

“Pritja ka qenë goxha e rëndë, sepse kisha mundim” – tha ajo shkurtimisht për REL-in, derisa bëhej gati për operacion.

Në këtë klinikë, ku kirurgjikisht trajtohen sëmundje të gjirit dhe të kafazit të kraharorit, në listë pritjeje për shërbime janë më shumë se 500 pacientë.

Drejtori Nazmi Kolgeci thotë se ka raste kur pacienti nga lista thirret nga stafi mjekësor, por familjarët njoftojnë se ai ka vdekur.

“E kemi vetëm një sallë të operacionit. Nuk mund ta përballojmë gjithë këtë fluks të madh të pacientëve që kemi këtu. Ne kemi prioritet mushkëritë dhe gjirin” – thotë Kolgeci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, listën e pritjes e ka zgjatur edhe pandemia COVID-19 – sëmundje që, me raste, prek mushkëritë e pacientëve.

Cila është zgjidhja?

Pas interesimit të REL-it për listat e pritjes është marrë vesh se Pranvera Zejnullahu – Raçi, ushtruese e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ka mbajtur një takim, javën e kaluar, me udhëheqësit e klinikave, ku ka lista të gjata të pritjeve për pacientë. Në takim mësohet se është kërkuar që të gjendet një zgjidhje për t’u zvogëluar numri i pacientëve që presin.

Përveç tri klinikave që ka vizituar REL, mësohet se pacientët presin gjatë edhe për disa shërbime që ofrojnë klinikat e tjera.

REL, për këtë çështje, i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë(MSH), e cila zotohet se do të bëjë “transformim të sistemit shëndetësor”.

“Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është i paraparë të bëhet përmes decentralizimit të sistemit spitalor dhe riorganizimit të QKUK-së, si dhe fuqizimit të spitaleve rajonale dhe të sistemit shëndetësor lokal” – thuhet në një deklaratë me shkrim, dërguar REL-it.

Nga MSH-ja, po ashtu thonë se, përmes zhvillimit të qendrave të avancuara dhe programeve të reja të specializimeve dhe subspecializimeve, “mund të përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe njëkohësisht të shkurtohet koha e marrjes së shërbimeve”.

“Anesteziologjia do të jetë lëmi me prioritet në ndarjen e specializimeve të reja që janë duke u përgatitur” – thonë nga Ministria e Shëndetësisë, duke komentuar mungesën e anesteziologëve si njërën prej pengesave kryesore për kryerjen e operacioneve.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë, prej vitesh, përballen me mungesë të anesteziologëve.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar për disa raste të këtyre mjekëve specialistë që e kanë lëshuar punën.

Si arsye, ata kanë përmendur kushtet jo të mira në punë dhe pagën, sipas tyre, të ulët.
Paga bruto, apo e pataksuar, e mjekëve në Kosovë është 630 euro.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Projektligji i ri për paga, që parasheh rritje, pritet të dalë në votim së shpejti.

Deri atëherë do të vazhdojnë pritjet e punonjësve shëndetësorë për paga më të larta, por edhe pritjet e pacientëve për shërbime, të cilat nuk duket se mund të zvogëlohen shpejt./Arton Konushevci/REL