Deri në qershor Komuna e Fushë-Kosovës ka shpenzuar vetëm 2% të buxhetit për investime kapitale

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka bërë të ditur se deri në qershor të këtij viti, Komuna kishte shpenzuar vetëm 2% të buxhetit vjetor për investime kapitale.

Duke folur në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Krasniqi tha se edhe Fushë-Kosova është në gjendje të vështirë në shpenzimin e buxhetit për investime kapitale.

‘Kanë krijuar të tjerët kushte që na mos me i shpenzu. Ky vit për neve ka qenë shumë i vështirë, arsyet janë shumë të thjeshta, i përmendi nënkryetari (i Komunës së Prishtinës), edhe ne 10 kontrata është dashtë me i anulu, sepse u ngritën çmimet. Këtu është përgjegjësi edhe e Qeverisë, se qysh në fillim të vitit e ka pa që inflacioni është 20%, por ju e dini që ka fsheh edhe inflacionin. Automatikisht është dashtë me e nxjerrë një vendim, që e tha nënkryetari (i Prishtinës), që të ngriten të gjitha vlerat e kontratave të nënshkruara për 20% dhe të vazhdojnë operatorët ekonomikë” – tha Krasniqi.

Ai tha se kjo nuk ka qenë e varur vetëm prej Komunës, pasi që sipas tij, edhe mosfunksionimi i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka qenë pengesë.

“Ne në këtë vit, deri në muajin e gjashtë kemi shpenzuar vetëm 2%  të buxhetit për investime kapitale, ndërsa presim tash sepse jemi në procedura, me shku deri në 30 – 40%  brenda vitit 2022. Përafërsisht i bie 200 – 300 mijë euro që i kemi shpenzuar, nga 5 milionë euro” – bëri të ditur Krasniqi.