Dërgohet në QKUK 29-vjeçari i lënduar mbrëmë në aksident trafiku në Skivjan të Gjakovës

Një 29-vjeçar ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:45, në fshatin Skivjan në Gjakovë, ku e përfshirë ka qenë një veturë me targa vendore.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ai ka njoftuar se 29-vjeçari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Mbrëmë rreth orës 21:45, në fshatin Skivjan-Gjakovë,  ka ndodhur aksident trafiku ku e përfshirë ka qenë një veturë me targa vendore. Për pasojë (përveç dëmeve të konsiderueshme materiale), ngasësi i veturës (i lindur në vitin 1994), ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”- ka thënë Elezaj për KALLXO.com.

Ai tutje ka njoftuar se rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.