Prapa grilave - Ilustrim

Dërgohet në ndalim djali i policit të cilit iu gjet arsenali i armëve në shtëpi

Djali i policit të Stacionit Policor në Viti, E. I., A. I., gjatë ditës së sotme ka ardhur nga Zvicra me ç’rast është intervistuar nga policia dhe me urdhër të prokurorit të Gjilanit është dërguar në ndalim.

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë në Gjilan kanë treguar se djali i policit i cili dyshohej se ishte jashtë shtetit është kthyer sot orët e mëngjesit dhe i njëjti është intervistuar në lidhje me armët dhe fishekët që i janë gjetur në shtëpinë e tij.

Mbrëmë KALLXO.com raportoi se një zyrtar policor në Viti është suspenduar pasi në shtëpinë e djalit të tij janë gjetur një arsenal armësh më saktësisht dy kallashnikovë, katër armë të vogla dhe rreth 500 fishekë.

Tutje KALLXO.com mësoi se në afërsi të shtëpisë së policit me inicialet E. I., janë gjetur katër gëzhoja që dyshohet se janë nga gjuajtja me armë disa ditë më parë.

Arma e policit është konfiskuar me urdhër të prokurorit për të bërë ekzaminimin e gëzhojave nëse përkojnë me armën e tij apo armët që i janë gjetur në shtëpi djalit të policit.

Tutje mbrëmë KALLXO.com raportoi se i gjithë rasti nisi kur në një fotografi në Facebook, djali i policit kishte publikuar fotografinë me dy kallashnikovë.

Pas marrjes së këtij informacioni, Gjykata në Gjilan kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për një bastisje në shtëpinë e djalit të policit.

Bastisja përfundoi me dy kallashnikovë, katër armë të vogla e rreth 500 fishekë të konfiskuara.

Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë kishte rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor

Suspendohet polici i Kosovës, në shtëpinë e djalit të tij u gjet arsenal armësh