Tridhjetë mostrat e dyshuara me variantin e ri të COVID-19, arrijnë për verifikim në Gjermani

Tridhjetë mostra të dyshuara se mund të jenë të variantit të ri të COVID-19, janë dërguar nga Kosova në një laborator në Berlin të Gjermanisë për testim. Kjo pasi Kosova nuk ka përvojë dhe as kapacitete teknike për testimin e këtij varianti të SARS, i cili e shkakton më pas COVID-19.

Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka konfirmuar për KALLXO.com se mostrat për testimin e variantit të ri të COVID-19, tashmë kanë arritur në laboratorin në Berlin.

Sipas Jakupit, IKSHPK sot vetëm e ka marr njoftimin se mostrat kanë arritur, por se nuk kanë marrë njoftim se kur do të jenë të gatshme rezultatet e këtyre mostrave.

“I kemi dërguar 30 mostra si pjesë e mbikëqyrjes së zakonshme virologjike për COVID-19. Sot e kemi marr konfirmimin që kanë mbërri në laboratorin në Berlin dhe është ende herët për rezultat, nuk kemi marr asnjë njoftim se kur do të jenë të gatshme rezultatet”, ka thënë Jakupi.

Gjithashtu Jakupi ka thënë se Kosova ende nuk ka përvojë dhe as kapacitete teknike  për testimin e këtyre mostrave.

Ai thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e ka pajisjen për testimin e këtij varianti dhe shpreson që në javët në vazhdim të ketë edhe kapacitete teknike për kryerjen e këtyre testimeve.

“Për me detektu variantin e ri të COVID-19 duhet të kryhet procesi me sekuencionimi dhe ende nuk kemi përvojë të tillë. Ne e kemi marrë aparaturën, por ende nuk kemi kapacitet teknik për me kry testimin. Po shpresojmë që në javët në vazhdim me i kriju këto kapacitete edhe në Kosovë”, ka thënë Jakupi.

Varianti i ri i COVID-19 u paraqit për herë të parë në Britani të Madhe, ndërsa ka pasur raportime se ky variant tashmë ka arritur edhe në Serbi.