Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Foto: REL

Derek Chollet: Kosova është një ndër miqtë e ngushtë të ShBA në Ballkanin Perëndimor

Derek Chollet: Kosova është një ndër miqtë e ngushtë të ShBA në Ballkanin Perëndimor

Komiteti për Punë të Jashtme të Senatit amerikan ka mbajtur të enjten seancë në të cilën kanë raportuar edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet gjatë raportimit tha se Kosova është një miqtë më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se ShBA-të mbështesin Kosovën dhe do të vazhdojnë ta mbështetësin në rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB dhe NATO.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme për administratën e presidentit Biden. Kosova është një shtet demokratik dhe i pavarur. Kosova është një ndër miqtë tanë më të ngushtë në atë rajon dhe ShBA e njeh Kosovën dhe e mbështesim atë dhe institucionet e saj si dhe do të mbështesim Kosovën në rrugën dhe aspiratat e saj drejt OKB dhe NATO. Marrëveshja në mes Kosovë dhe Serbisë mund të sjellë benefite për të dyja vendet. Por aspiratat e dy vendeve drejt rrugës euroatlantike nuk do të ndodhin deri sa nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Serbia ka probleme me korrupsion dhe ndikimin rus” – ka thënë Chollet gjatë fjalimit të tij.

Ndërkaq, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar jepi detaje në Komitet për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se implementimi i marrëveshjes së Ohrit është rrugës dhe tha se në takimin e radhës në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit, Aleksandër Vuqiç do të diskutohet për aneks-marrëveshjen që lidhet me themelimin e asociacionit dhe deklaratën për personat e zhdukur.

Escobar tha se marrëdhëniet në mes dy vendeve duhet të normalizohen për të bërë progres në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011. Ky proces, që gëzon mbështetjen e SHBA-së, synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të raporteve dhe më 18 mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Asociacioni është prioritet, teksa Escobar ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të nisë me Asociacionin.