Stadiumi i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

“Derbi i Anamoravës’ në stadiumin e papërfunduar

Derbi i Anamoravës ne mes të FC Drita dhe SC Gjilani do të luhet sot në ora 13:00 në stadiumin e qytetit të Gjilanit, ndonëse kushtet infrastrukturore në stadium lënë shumë për të dëshiruar.

Ndeshja luhet në kuadër të xhiros së 24-të në Superligën e Futbollit të Kosovës. Momentalisht Drita gjendet në pozitën e tretë në tabelë me 41 pikë të grumbulluara ndërsa Gjilani gjendet në pozitën e dytë me 46 pikë.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri tha për KALLXO.com se edhe pse ekziston fusha ndihmëse me bari sintetikë, kjo ndeshje është vendosur të luhet në stadiumin e qyteti për shkak të interesimit të madh të publikut.

“Ne e kemi përgatitur fushën me bari sintetik, të dielën është zhvilluar ndeshja e parë zyrtare e Superligës, një punë që s’është realizuar apo është lënë anash për 2 vite për të vendosur platformën e sistemit VAR, ne e kemi bërë të gatshme për lojë për dy javë. Kurse sa i përket derbit që zhvillohet sot, tribunat e fushës ndihmëse janë të pamjaftueshme për tifozët pasi që mblidhen”, tha Zeqiri për KALLXO.com.

Ai thotë se varet nga operatori ekonomik se sa do të zgjasin punimet në stadiumin e qytetit.

“Varet nga operatori se sa zgjasin punimet, pasi që është një projekt i madh dhe duhet goxha kohë për të realizuar në tërësi”, tha në mes tjerash Zeqiri.

Në anën tjetër, drejtuesit e SC Gjilani thonë se nuk kanë kryer asnjë stërvitje në stadiumin kryesor.

“Gjendja e fushës është ajo që është. Nuk kemi kryer asnjë stërvitje në stadiumin kryesor, duke tentuar ta ruajmë atë sa më shumë. Shpresojmë të jetë në formë optimale për ndeshje, dhe futbollistët të mos kenë shumë vështirësi”, tha Drilon Sylejmani, drejtor i SC Gjilanit.

“Përkrahja e tifozëve normalisht se është e domosdoshme, sidomos në këso ndeshje derbi, ndaj presim dhe mbështetjen e tyre për t’i arritur objektivat të cilat i kemi caktuar”, tha tutje Sylejmani.

Ndërsa trajneri i FC Drita, Ardian Nuhi është shprehur optimist për ndeshjen e sotme.

“Nesër na pret një ndeshje e rëndësishme për skuadrën tonë dhe ndeshje e special për tifozët tanë. Të skuadra ime kam parë një motiv të veçantë për këtë ndeshje dhe është punuar mirë në këto dy ditë. Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më ë vogla, bëhet fjalë për një kundërshtar që nuk është mposhtur në 20 ndeshje dhe ka individë cilësor”, ka thënë Nuhiu një ditë para ndeshjes në konferencë për media.

Nuhiu shpreson që ekipi të kthehet me rezultatet pozitive, pas humbjes nga Drenica javën e kaluar.

“Pas mungesës së rezultateve, do të jetë shumë e rëndësishme të kthehemi te fitorja dhe të vazhdojmë rrugëtimin drejt objektivit tonë që kishim nga fillimi i kampionatit”, potencoi trajneri Nuhiu në konferencë për media.

Për drejtuesit e SC Gjilanit ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe epilogu i kësaj ndeshje nuk mund të jetë përcaktues për fatin apo rrjedhën e kampionatit.

“Ka shumë ndeshje deri në fund për t’i luajtur dhe cilido epilog i ndeshjes të jetë nuk mund të jetë përcaktues për fatin apo rrjedhën e kampionatit. Diferencat ndërmjet skuadrave janë shumë të vogla, me gabimet kuptohet që nuk lejohen shumë, sidomos në këtë fazë”. Skuadra ka kryer të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ndeshje dhe e kompletuar do të futet në derbin e radhës për të synuar maksimumin e mundur, njësoj sikurse në ndeshjet e tjera” thonë nga SC Gjilani.

Këtu mund të gjeni të gjitha lajmet për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit.