‘Derbi i Anamoravës’ do të luhet në stadiumin e papërfunduar

Ndeshja që merr vëmendjen e gjithë futbolldashësve vendor, derbi lokal mes FC Drita e SC Gjilani pritet të luhet në stadiumin e qytetit, ndonëse ai nuk është përfunduar ende dhe nuk plotësohen si duhet kushtet infrastrukturore.

Në xhiron e 24, Drita e Gjilani do të përballen për herë të tretë këtë vit, ndërsa rreth shkallëve të stadiumit do të qëndrojnë ekskavatorët.

Mirëpo, ndonëse stadiumi nuk ka përfunduar ende, lajmi se ndeshja do të zhvillohet në Gjilan është lajm i mirë për grupet e tifozëve të dy klubeve gjilanase, “Intelektualët” dhe “Skifterat”.

Ndeshja e fundit mes tyre u zhvillua në stadiumin e kryeqytetit, “Fadil Vokrri”.

Momentalisht Drita gjendet në pozitën e tretë në tabelë me 41 pikë të grumbulluara, ndërsa Gjilani në pozitën e dytë me 46 pikë.

Komuna e Gjilanit disa ditë me herët kishte marrë vendim që klubet nga Gjilani ndeshjet si vendas ti zhvillojnë në një fushë me bari sintetik.

Kryetari i Komunës së Gjilanit kishte premtuar se në momentin që do të ketë kushte atmosferike, do të fillohet me punimet në stadiumin e qytetit.