
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Deputetja Kadriaj- Kurtit: Paske aftësi me bë humor dhe spektakël, ju ftoj të shkoni në ‘Big Brother’
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, se adresimi i tij para qytetarëve dhe deputetëve sipas saj, nuk ishte serioz, teksa kishte folur për çështjen e Asoacionit.
Kadriaj tha se ajo se çka ka bërë Kurti sot ishte “spektakël e humor” dhe ka ftuar Kurtin që të shkojë në spektaklin “Big Brother”.
“Ajo çka bëri sot z. Kurti ishte një spektakël dhe humor, duke u tallur edhe me deputetët edhe me qytetarët. Andaj z. Kurti duke e parë që paske aftësi me bë spektakël dhe humor ju kisha ftu me shku në Big Brother”- u shpreh Kadriaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjashtë kushtet e përmenduara nga Kurti:
- Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
- Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë bord dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Ligjit për vetëqeverise lokale.
- Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimit e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive.
- Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.
- Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet për mospranimin e Republikës së Kosovës për në BE.