Grafika: Trembelat për KALLXO.com

Deputetja e Vetëvendosjes i reagon Isa Mustafës për Asociacionin

 

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili publikoi një letër që kishte pranuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, para nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, në të cilën thuhet e ky asociacion nuk do të ketë fuqi ekzekutive.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe asaj radhe, një kryeministër i Republikës së Kosovës, garancën e interesit dhe integritetit të Republikës ia paska pas deleguar një pale të tretë, në këtë rast fasilituesit”.

“Letra e znj. Mogherini e datës 24 gusht si garancë për marrëveshjen e 25 gushtit mund të ketë vlejtë maksimumi deri më datën 23 dhjetor 2015, atëherë kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, institucioni i vetëm dhe suprem për interpretime kushtetuese, e shpalli garancën e znj. Mogherini të pavlerë e marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutën e vendit”, shkruan Haxhiu.

Ajo tha se “përtej kësaj, këtu ka një shpërfaqje të një problemi tejet serioz e të kushtueshëm që i ka përcjellë delegacionet e Kosovës që nga hera”.

Ndryshe, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka publikuar një letër të cilën e kishte pranuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, para nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, në të cilën thuhet e ky asociacion nuk do të ketë fuqi ekzekutive.

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa zbatimin e Asociacionit të komunave serbe pasi sipas tij për këtë Kosova është zotuar.

Ai pas përfundimit të takimeve në Kosovë në një konferencë për media tha se gjatë këtyre tri ditëve në takimet që ka pasur me përfaqësues të pozitës dhe opozitës nuk ka pasur ndonjë problem për pikën e marrëveshjes rreth Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.