Deputetja e PDK-së reagon për emërimin e ish-kandidates së LVV-së për deputete në bordin e Teatrit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kritikuar emërimin e ish-kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Shkurte Aliu, në bordin e Teatrit Kombëtar.

KALLXO.com ka raportuar sot për emërimin e Aliut në këtë bord.

“Shkurte Aliu – kandidate për deputete nga LVV në vitin 2017, Shkurte Aliu – motra e deputetit të LVV – Luan Aliu, Shkurte Aliu – u emërua anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës nga Ministri Hajrulla Çeku – 2021, KAQ PËR KLITHMAT KUNDËR BORDEVE FAMILJARE E PARTIAKE – QEVERIA KURTI 2 PO NJËSOJ SI AJO KURTI 1. NDRYSHIMI…!!! ???”, ka shkruar deputetja e PDK-së, në Facebook.

Me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, të premten janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këshilli drejtues, me mandat 4-vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

KALLXO.com mëson se anëtarja e këtij bordi, Shkurte Aliu, ka qenë kandidate për deputete e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 2017-ës.

Aliu, sipas një biografie të publikuar nga LVV-ja asokohe, thuhet se nga viti 2005 ka qenë e angazhuar në këtë subjekt politik.

KALLXO.com ka provuar disa herë që të kontaktojë përmes telefonit me Aliun por që e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Po ashtu, edhe ministri Çeku nuk është përgjigjur në thirrjet e KALLXO.com.

Ish-kandidatja për deputete e Vetëvendosjes emërohet anëtare në bordin e Teatrit