VIDEO - Deputetja Besa Ismaili përgënjeshtron Driton Selmanajn, kërkon shkarkimin e tij
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismajli Ahmeti ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti shkarkimin e zëvëndëskryeministrit, Driton Selmanaj, pasi ky i fundit kishte refuzuar të raportojë para Komisionit për të drejtat e njeriut për çështjen e të pagjeturve.
Në e-mailin që Ismajli-Ahmeti ka lexuar para deputetëve, zëvendëskryeministri Selmanaj kishte thënë se çështja e të pagjeturve tashmë është konsmuar dhe se nuk ka çfarë të raportojë.
“Lidhur me kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut që zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj të raportojë mbi çështjen e të pagjeturve, konsiderojmë se kjo çështje është konsumuar dhe ezauruar në seancën e Kuvendit kur kryeministri Hoti ka raportuar mbi të. Ai ka prezantuar të gjitha në debatin disa orësh, diskutimi i kësaj çështje nuk është opurtune”, thuhet në e-mailin që zyra e zëvendëskryeministrit i ka dërguar Duda Baljes, kryetares së këtij Komisioni.
Deputetja Ismajli Ahmeti ka thënë se Hoti duhet menjëherë të shkarkojë Selmanajn në mënyrë që opozita t’i besojë Qeverisë.
Deputetja e PDK-së e publikoi përmbajtjen e e-mailit të Driton Selmanajt pasi ai, paraprakisht, tha se asnjëherë nuk ka thënë se tema e të pagjeturve është konsumuar dhe ezauruar.
Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar punimet me interpelancën e kryeministrit Hoti për dialogun e Brukselit.