Deputetja e opozitës e përkrah heqjen e tarifës ndaj Serbisë

Një deputete e Kuvendit të Kosovës nga opozita e ka përkrahur idenë e Qeverisë për të hequr tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“Unë si deputete e AKR-së e mbështes heqjen e taksës. I ftoj pozitë e opozitë që të bëhemi bashkë”, tha Mirlinda Sopi Krasniqi, deputete nga radhët e partisë së Behgjet Pacollit.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke u mbajtur rreth vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia.

Tarifa ndaj mallrave serbe u vendos në nëntor 2018 nga ish-Qeveria Haradinaj.

Ky i fundit ka bërë thirrje disa herë që tarifa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës shtet nga Serbia.