Deputetja e LVV-së-Ahmetxhekajt: Festim Kabashi është emëruar në një Departament brenda RTK-së që keni thënë se duhet të shuhet

Pozita aktuale e ish-drejtorit të televizionit të RTK-së, Festim Kabashi, ka qenë temë diskutimi në Komisionin parlamentar, ku po raportonte bordi i RTK-së për punën gjashtëmujore gjatë vitit 2022.

Drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka bërë të ditur se Kabashi aktualisht është ushtrues detyre i udhëheqësit të Departamentit për Zhvillim Strategjik në RTK.

Ahmetxhekaj teksa u përgjigj në pyetjen e deputetes së Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, për pozitën e Kabashit, tha se ky Departament ka pasur të punësuar 16 persona dhe aktualisht ka gjashtë persona.

“Aktualisht ish-drejtori Kabashi është ushtrues detyre i udhëheqësit të Departamentit për Zhvillim Strategjik. Ky Departament kur e kemi marrë detyrën ka qenë me 16 persona, aktualisht janë gjashtë, qëllimi është të kemi maksimum katër” – ka thënë Ahmetxhekaj.

Kryeziu Hyseni tutje ka shtuar se Ahmetxhekaj ka deklaruar se ky Departament brenda RTK-së  duhet të merret në konsideratë të mos ekzistojë fare.

Ajo ka thënë se në këtë Departament në të kaluarën janë “rehatuar” ish-drejtorët.

“Departamenti për Zhvillim Strategjik në të kaluarën është konsideruar si vendi ku janë rehatuar ish-menaxherët, ish-drejtorët edhe ju personalisht keni thënë se duhet të merret në konsideratë që në të ardhmen ky Departament të mos ekzistojë fare. Pavarësisht që keni deklaruar që ky Departament do të duhet të mos ekzistojë çka keni bërë, e keni larguar një ish-drejtor dhe e keni dërguar prapë në të njëjtin Departament” – ka shtuar Kryeziu Hyseni.

E drejtori Ahmetxhekaj ka thënë se sistemimi i Kabashit aty ka qëllim që të mos jetë si në të kaluarën, kur rehatohen ish-drejtorët, por që të jetë funksion.

“Herën e parë kur jam intervistuar nga bordi kam thënë se ky Departament duhet të shuhet sepse po, është një vend ku rehatohen të tjerët. Herën e dytë kam deklaruar se më duhen katër këshilltarë. Prandaj sistemimi i Kabashit aty ka qëllim që të mos jetë si në të kaluarën ku rehatohen ish-drejtorët, por që të jetë funksion, ai aktualisht është duke punuar. Ka ndryshuar koncepti, puna e tij është e dukshme” – ka thënë ai.

Drejtori i televizionit, Festim Kabashi, ka njoftuar më 15 shtator se ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij.

Më 19 shtator, bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar propozimin e drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, për emërimin e Arta Avdiut në postin e ushtrueses së detyrës të drejtoreshës së kanalit televiziv në gjuhën shqipe.