Deputetja e LDK-së u drejtohet deputetëve të LVV: Mos i shkarkoni bordet t'u shit moral

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami, ka përmendur arsyetimin që deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje e kishte lexuar për shkarkimin e bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, e cila tha se bordi brenda muajit dhjetor 2016 për udhëtime zyrtare brenda rajonit ka shpenzuar 16 mijë e 92 mijë euro.

Bajrami tha se deputetët e LDK-së nuk po flasin për tenderin e dy milionë eurove për stikerët ngjitës në veturat e qytetarëve.

“Kur flasim për keqpërdorim të 16 mijë eurove, nëse keni fakte që janë keqpërdor nuk do të del asnjë deputet i LDK-së në mbrojtje të tyre. Por ka një javë që po diskutojmë në Kuvend e në media po diskutojmë, e ju asnjë nga deputetët e LVV as edhe një fjalë të vetme nuk e keni thënë për tenderin për tiketa ngjitëse. Po flitet për keqpërdorim të 2 milionë eurove”, tha Bajrami.

“A pajtoheni ju që me i dhënë një kompanie me 3 punëtor për një vit 2 milionë euro për një tiketë e cila kushton 2 cent edhe mund të ipet nga Ministria e Punëve të Brendshme në rastin e dorëzimit të librezës së regjistrimit”, tha Bajrami.

Ajo ka kërkuar që mos të përdorin standarde të dyfishta.

“Nëse jeni kundër keqpërdorimit më të mëdha janë 2 milion se 16 mijë euro”, tha Bajrami.

“Mos i shkarkoni bordet t’u shit moral… Në emër të luftës së korrupsionit jeni t’u bo shumë korrupsion”, tha Bajrami.

Kurse Fitore Pacolli – Dalipi deputete e LVV-së, tha se po ju dalin në mbrojtje personave të cilëve, sipas saj, ju kanë dhënë mundësinë që të deklarohen në komision.

“Nuk kanë qenë të gatshëm me përmend asnjë sukses të vetëm gjatë këtyre viteve. Tendenca për të kaluar në tema tjera, që me i ikë kësaj teme, nuk duhet të përdoret sepse duhet të flasim për temën konkrete”, tha Pacolli – Dalipi.