Deputetja e LDK-së i lutet Albin Kurtit: Tërhiqe vendimin për Veliun, dëgjoje Anton Qunin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Marigona Geci, gjatë seancës që po mbahet për rrëzimin e Qeverisë, e ka lutur Albin Kurtin që të tërheqë vendimin e tij për shkarkimin e Agim Veliut, për t’i hapur rrugë vazhdimit të koalicionit qeverisës.

“Dua të të lutem për ata që dhanë jetën e ranë për këtë tokë, për hir të rinisë e fëmijëve, nënave, baballarëve, te lutem hiqe vendimin për shkarkimin e Veliut. Hapna rrugën për të ecur përpara, mos na mbyllë rrugët. Që ke Zot, fe e atdhe, të lutem tërhiqe atë vendim. Nuk jam duke u mërzitur për veten time, as për ty po i kemi lodhur qytetarët”, tha ajo.

“Tërhiqe atë vendim edhe për inat të Serbisë sepse jemi në një kohë pa kohë. Tërhiqe e dëgjoje Anton Qunin se nuk koritesh, as nuk marrohesh po vetëm forcohesh”, u shpreh Geci.