Deputetja e LDK-së i dërgon letër të hapur Albin Kurtit, e lut ta tërheq vendimin për Veliun

Deputetja e LDK-së, Marigona Geci i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit Albin Kurti në lidhje me situatën e krijuar me virusin COVID-19 dhe me iniciativë e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë.

Geci i ka kërkuar Kurtit që ta tërheq vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Geci ka premtuar se do të votojë kundër rrëzimit të Qeverisë, nëse Kurti e tërheq vendimin për Veliun.

“Hapna rrugën të ecim përpara, mos na mbyll rrugët, që ke Zot, që ke fe, e që ke atdhe, tërhiqe atë vendim”, ka shkruar Geci në mes tjerash.

Kryeministri Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit, për shkak se sic ka deklaruar vet Kurit, përhapjes së panikës dhe tradhtisë ndaj Qeverisë dhe Policisë.

Po atë ditë, Kryesia e LDK-së kishte marrë vendim për t’u larguar nga koalicioni qeverisës dhe ka dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë.

Letra e plotë e deputetes së LDK-së, Marigona Geci:

Letër e hapur për kryeministrin e Republikës së Kosovës.

I nderuar kryeministër, ky është fjalimi që do ta kisha mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por pasi që vendi ynë është në një gjendje emergjente me virusin COVID-19 dhe nuk e dijmë se a do të arrijmë të mbajmë seancë apo jo, po e publikoj sot dhe nëse do të jetë e mundur do ta përsëris edhe në Kuvend.

Unë tani nuk dua të mbajë fjalime politike por si një qytetare e Republikës së Kosovës kam një lutje për kryeministrin, si një grua e dikujt, si një nanë, si një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si një bijë e një shtëpije prej më të mëdhajave në Republikën e Kosovës, dua të të lutem që për hirë të atyre që dhanë më të shtrejtën e tyre, që dhanë jetën për këtë tokë, për hirë të gjakut të familjes Jashari, për hirë të Reçakut, Abrisë, Mejës, Izbicës, Rezallës e të gjithë atyre që ranë për liri, për hirë të rinisë së Kosovës, për hirë të fëmijëve tonë, për hir të nënave dhe baballarëve, për hirë të gjyshërve tonë, tërhiqe vendimin për shkarkimin e zt.Veliut!

Nëse e tërhjek atë vendim të ngutshëm, unë nuk do të votoj për rrëzimin e qeverisë.

Hapna rrugën të hecim përpara, mos naj mbyll rrugët, që ke Zot, që ke fe, e që ke atëdhe, tërhiqe atë vendim.

Unë po të lutem edhe për hirë të 420 mijë qytetarëve që i kanë dhënë besimin LDK-së dhe LVV-së.

Nuk jam duke u mërzitur për vetën time, nuk jam duke u mërzitur as për ty e as për asnjërin që jemi në kuvend, por i kemi lodhë qytetarët duke mbajtur inate personale.

Tërhiqe atë vendim edhe për inatë të Serbisë sepse jemi në një kohë të pa kohë me probleme emergjnte shëndetësore, jemi duke u ballafaquar me një pandemi globale të quajtur COVID-19, e me plot probleme të tjera.

Andaj Ju lutem edhe njëherë tërhiqe atë vendim, se as nuk ligesh, as nuk marrohesh, as nuk koritesh, por vetëm forcohesh.

Të bëhemi bashkë pozitë e opozitë e ta luftojmë këtë pandemi që ka kapluar botën, sepse tani vendi jonë është në një gjendje alarmante, vendet tjera ua vazhdojnë mandatin qeverive në raste të tilla, ndërsa Ju po na detyroni me ju shkarkua.

Të bëhemi bashkë e ti lëmë inatet personale e partiake, sepse ne që merremi me politikë nuk jemi të përhershëm e as të pazëvendësueshëm!

Me respekt,
Marigona Geci
Zoti e ruajt popullin tim dhe miqtë e vendit tim!