Deputetja e LDK-së dhe zëvendësministri i LVV-së ‘kapen’ se kush e politizoi Administratën Publike

Shqyrtimi i Projektligjit për Zyrtarët Publikë ka nxitur diskutime mes deputetes të LDK-së Hykmete Bajrami dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji deputetja Bajrami ka përmendur rekomandimet e Zyrës të Bashkimit Evropian për këtë projektligj dhe ka thënë se ka vërejtje.

Pas kësaj zëvendësministri Dobra ka përmendur Raportin e Progresit ndër vite dhe ka thënë se në kohën kur LDK-ja ka qenë në Qeveri janë përmendur në këtë raport punësimet politike.

“Brenda vitit 2013 dhe 2021 partia juaj ka qenë në qeveri disa kohë. Për çdo vit është përmend politizimi administratës publike në raportet e progresit dhe kjo nuk paska qenë atëherë problem për ju. Keni vazhduar çdo vite me emërime politike” – ka thënë Dobra.

Gjatë kësaj deklarate, deputetja Bajrami ka ndërhyrë duke thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe sipas saj janë LVV ata që kanë vendos familjarë në pozita të ndryshme.

“Nuk je duke thënë të vërteta sepse ne e dimë politizimin dhe nepotizmin që jeni tu e bë çdo ditë. Nuk ka pozitë që nuk keni vendos familjarë. Mos e devijo debatin. Nuk ka pozitë që nuk e keni kapë” – ka thënë Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka thënë se deputetëve të Kuvendit u ka ardhur shkresë nga Zyra ligjore e BE-së me analizën e këtij projektligji.

Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është duke e shqyrtuar në lexim të dyte Projektligjin për zyrtarët publikë dhe atë për paga.

Kuvendi e ka miratuar javën e kaluar propozimin që shqyrtimi i këtyre dy projektligjeve të bëhet me shmangie nga afatet procedurale të parapara sipas rregullores.

Sot më mbledhjen e komisionit, deputetët e opozitës kritikuan pozitën për këtë vendim.

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani tha se ky përshpejtim sipas tij e ka qëllimin që ligjet të miratohen pa u trajtuar siç duhet nga komisioni.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se këto Projektligje duhet të miratohen më lexim të dytë me disa ndryshime.

“Unë i kam bërë katër amendamente dhe më i rëndësishmi është për vlerën e koeficientit qe propozojmë të jetë 129 euro. Dhe për ligjin për zyrtaret publik mandati duhet me u trajtu sikur qe duhet edhe pagat e disa institucioneve kushtetuese. Por duhet të kaloj me këto përmirësime”- ka thënë Tahiri.

Në seancën e javës kaluar, me kërkesë të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për të miratuar Projektligjin për pagat në sektorin publik si dhe projektligjin për zyrtarët publikë.

Në kërkesën e dorëzuar në Kryesi të Kuvendit, të siguruar nga KALLXO.com, partia në pushtet kërkoiqë të shmangen afatet procedurale të përcaktuara nga rregullorja e Kuvendit në mënyrë që të caktohen afatet për shqyrtim të dytë të tyre.

Më pas, pro këtij propozimi votuan 64 deputetë, ndërsa nuk pati vota kundër, as abstenime.