Deputetja e LDK-së: 100-ditëshi i qeverisjes do të mbahet mend si qeveria më e dobët në histori

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, tha se qeveria Kurti në 100 ditshin e qeverisjes do të mbahet mend si qeveria më e dobët në histori të drejtimit të vendit.

“Gjatë kësaj periudhe qytetarët e vendit nuk kanë pa asnjë vendim të mirë që do të mund të kreoheshin me punën e kësaj qeverie. 100 ditë dëshpërim e zhgënjim të madh për qytetarët, me pak fjalë kështu mund të përshkruhet puna dhe angazhimi i qeverisë Kurti në këtë periudhë”, tha Krasniqi.

Sipas saj kjo qeverisje ka qasje arrogante me pushtetin dhe aspak shpresdhënëse për qytetarët.

“Fare nuk flitet për zhvillim ekonomik e mirëqenie, kjo se janë fokusuar në kapje të shtetit përmes shkarkimit të bordeve dhe punësimet e familjarëve në pozita kyçëse. Keni thënë se do të vendoset reciprocitet me Serbinë që në ditët e para të kësaj qeverie por kurrsesi muaj. Kjo nuk ndodhi as në 100 ditshin e parë as në javët pasuese”, tha ajo.