Deputetja e AAK-së: IKShP nuk e monitoron situatën në veri, vetëm merren të dhëna statistikore

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila kryeson Komisionin për Shëndetësi, ka konsideruar se Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës është më se i domosdoshëm.

“Uroj të mos kemi edhe një rast të vetëm të infektuar me COVID. Lus për vigjilencë dhe kujdes të shtuar edhe tash në lehtësimin e masave”, tha Reshitaj.

Reshitaj tha se me 8 maj kanë vizituar qendrën e studentëve. Si komision shëndetësor Reshitaj tha se kanë kërkuar të informohen në detaje mbi rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilani, Agon Musliu, dhe sipas saj kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë ngjarjen.

“Lirimi i mbi 50 për qind i atyre që kanë qenë të karantinuar se kanë pasë probleme shëndetësore është çështje që duhet të analizuar”, tha Reshitaj.

Sipas saj 1 mijë teste të ardhura nga Serbia ju është thënë se nuk janë përdorur.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë nuk monitoron situatën në veri, pra vetëm merren të dhëna statistikore. Testimet në veri merren nga komunat veriore”, tha ajo.

Komisioni për Shëndetësi sipas saj, me 5 maj 2020 ka diskutuar lidhur me dyshimet e procedurave tenderuese nga Ministria e Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19.

“Komisioni ka shqyrtuar raportin e MSH, Komisioni pas shqyrtimit dhe analizimit të këtyre raporteve dyshon se ka fryrje të çmimeve, favorizim të kompanive të caktuara, lidhje të kontratave të reja kur ende ka pas kontrata valide, përfshirje të produkteve që nuk kanë pas të bëjnë me situatën me pandeminë”, tha ajo.