Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputetja Duda Balje reagon ndaj shenjave për gjërat e ndaluara në shkollën në Gjakovë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka reaguar lidhur me shenjën që tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën e mesme teknike në Gjakovë.

Balje ka thënë se krahasimi i një arme që vret me atë të një vajze me shami është “vrasje e të drejtës së besimit” të saj.

Ajo përmes një postimi ka kërkuar një sqarim nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetarë dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetar. Unë nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkojë një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës z. A. Gjini”, ka shkruar Balje.

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi nga një shkollë në Gjakovë, në të cilën ishin vendosur shenjat për gjërat e ndaluara në shkollë.

Në mesin e gjërave të ndaluara ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, si dhe mbulesa (e vajzave myslimane).

Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

Ajo ka treguar se rasti ka ndodhur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.

“Kemi shkua e kemi pa objektin dhe kemi pa që është larguar ajo shenjë”, tha drejtoresha e Arsimit.

Gjakovë, largohet nga shkolla shenja që tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave