Deputetja britanike kritikon bashkësinë ndërkombëtare për qëndrimet lidhur me zhvillimet në Veri

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik, Alicia Kearns ka reaguar duke komentuar zhvillimet e sotme në veri të Kosovës.

Kearns ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës në veri, duke theksuar se kryetarët janë zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Ndërkombëtarët duhet të ndalojnë para se të sulmojnë zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që marrin zyrat e tyre në veri të Kosovës. Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serbë, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës” – ka shkruar Kearns në Twitter.

Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve në veri duke thënë se dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, “të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

BE ka thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të “mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.

Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri