Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Deputetja britanike Kearns e tmerruar nga kërcënimet e BE-së ndaj Kosovës rreth çështjes së Urës së Ibrit

Deputetja britanike Alicia Kearns ka thënë se tmerrohet kur sheh Bashkimin Europian që e kërcënon Kosovën me masa të reja negative në rast të rihapjes së Urës së Ibrit.

Kearns ka thënë se marrëveshja për Urën e Ibrit është arritur më 2015 dhe koha e caktuar për hapjen e saj ishte caktuar më 2017. “Pse është ndryshe nga marrëveshjet e tjera të mëhershme që BE e obligon Kosovën ta respektoj? – ka pyetur ajo.

Sipas deputetes Kearns, Qeveria e re britanike dhe ekipi i ri i BE-së duhet ta bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë e jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen (segregacionin).

“BE nuk ka marrë ende masa domethënëse kundër Serbisë me gjithë shumësinë e provave që ndërlidhin Millan Radoiçiqin dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb” – ka shkruar ajo në profilin e saj në rrjetin social “X”.

Ta ndëshkosh Kosovën për rihapjen e Urës, duke e injoruar Banjskën, sugjeron se procesi vetë është thellësisht i padrejtë dhe se ka nevojë për një reformë urgjente, ka theksuar deputetetja konservatore e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Reagimi i deputetes britanike vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë shtuar aktivitetet për rihapjen edhe për automjete të Urës së Ibrit, e cila ndan dhe bashkon qytetin e Mitrovicës.

Kundër hapjes së Urës në këtë kohë dhe pa koordinim janë deklaruar edhe SHBA, Bashkimi Europian dhe KFOR-I dhe vendet e QUINT-it.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka thënë se BE ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai, në një përgjigje për KALLXO.com më 13.08.2024.

Kundër kësaj deklarate ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se nuk ka asnjë arsye dhe e kundërshton në çdo mënyrë diskutimin për çështjen Urës së Ibrit në Bruksel.

“Deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste. Kështu që mendoj se as nuk meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste gjatë gjithë kohës”- tha Osmani në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Vitisë, Sokol Halitin, më 15.08.2024.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje. 

Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.