Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputetit të LDK-së ia shpojnë me thikë 4 gomat e veturës (FOTO)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpend Manaj, ka njoftuar se 4 gomat e veturës së tij janë shpuar me thikë derisa ajo ka qenë e parkuar në garazhën e banesës së tij.

“Sot rreth orës 11:00 kam vërejtur se katër gomat e veturës time, brenda garazhës në banesën ku banoj, janë shpërthyer, si rrjedhojë e shpuarjes me thikë”, ka shkruar deputeti Manaj.

Manaj ka treguar se rastin e ka lajmëruar në Polici, për të cilën ka thënë se ka reaguar me shpejtësi dhe e ka kryer punën e saj me profesionalizëm.

“Me këtë rast e falënderoj Policinë e Kosovës dhe kërkoj që rasti të trajtohet dhe të zbardhet në tërësi”, ka thënë Manaj.

Më tej, ai ka treguar se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë problem personal me askënd.

“Prandaj, nëse ky veprim i ultë është tentim që unë të ndalem nga puna ime e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend të Republikës dhe nga angazhimi i çdo ditshëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, e kanë gabim, sepse nuk ka forcë që me ndal nga ky përkushtim. Duke marr parasysh që rasti është tani në procedurë hetimore, kërkoj mirëkuptimin e mediave që përtej këtij njoftimi, nuk mund të jap deklaratë tjetër, lidhur me këtë rast”, ka përfunduar Manaj.

Foto: Shkëmb Manaj/Facebook
Foto: Shkëmb Manaj/Facebook