Kosova solidariozohet me Ukrainën, Foto: KALLXO.com
Deputeti ukrainas: Serbët më kërcënuan për rezolutën për njohjen e Kosovës
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, thotë se serbët e kanë kërcënuar në rrjetet sociale, pasi dorëzoi rezulotën në Parlamentin e Ukrainës, ku kërkohet që vendi të njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Euronews Albania.
Në një intervistë për “Euroneës Albania”, Goncharenko u shpreh se ka marrë mbështetje nga shumë njerëz në Kosovë.
“Nga Kosova njoh shumë njerëz që më mbështesin dhe më shkruajnë, pjesa më e madhe nga rrjetet sociale. Ka edhe nga Serbia të cilët kanë reaguar, pjesa më e madhe e tyre kanë nisur kërcënime, por mua kjo nuk më intereson”, theksoi ai.
Goncharenko deklaroi se në lidhje me rezolutën, ka pasur reagime edhe në Ukrainë, teksa shtoi se një pjesë e deputetëve e kanë mbështetur.
“Ka disa reagime brenda shtetit, pjesa më e madhe janë mbështetëse ndaj kësaj rezolute, edhe në media është mbuluar. Sa i përket kolegëve të mi, një pjesë e tyre më kanë kontaktuar për të thënë se më mbështesin. Asnjë deri në këtë moment nuk më ka thënë se nuk e mbështet këtë rezolutë”, nënvizoi deputeti.
Gjatë ditës së sotme është raportuar se Deputeti ukrainas dhe zv.kryetar i Komisionit për Migracionin, Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur i Asamblesë Parlamentare, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se shpreson që Ukraina ta njoh pavarësinë e Kosovës, sa më shpejt që është e mundur.
“Kam dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një projektligj që njeh pavarësinë e Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të mbështesë demokracinë kudo në botë. Shpresoj se Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Goncharenko në Tëitter.
Ukraina si një ndër vendet e dala nga Bashkimi Sovjetik, është një nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Oleksiy Goncharenko është i mbijetuar i tri tentativave për vrasje që supozohet që janë bërë nga Kremlini.
Që nga 24 shkurti, Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës. Ukraina ka bërë kërkesë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vendet evropiane dhe më gjerë janë bërë bashkë me sanksione kundër Rusisë si kundërpërgjigje ndaj luftës së paprovokuar të nisur në Ukrainë.
Deputeti ukrainas dorëzon në parlament rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës