Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti ukrainas dorëzon në parlament rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Deputeti ukrainas dhe zv.kryetar i Komisionit për Migracionin, Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur i Asamblesë Parlamentare, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se shpreson që Ukraina ta njoh pavarësinë e Kosovës, sa më shpejt që është e mundur.

“Kam dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një projektligj që njeh pavarësinë e Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të mbështesë demokracinë kudo në botë. Shpresoj se Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Goncharenko në Twitter.

 

Ukraina si një ndër vendet e dala nga Bashkimi Sovjetik, është një nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Oleksiy Goncharenko është i mbijetuar i tri tentativave për vrasje që supozohet që janë bërë nga Kremlini.

Që nga 24 shkurti, Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës. Ukraina ka bërë kërkesë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Vendet evropiane dhe më gjerë janë bërë bashkë me sanksione kundër Rusisë si kundërpërgjigje ndaj luftës së paprovokuar të nisur në Ukrainë.