Deputeti Shala: ZRRE ka neglizhuar edhe aspektet humane edhe ligjore

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Kosovës ka neglizhuar aspektet edhe humane edhe ligjore.

“Ky bord ka neglizhuar dhe anashkaluar edhe aspektet më bazike edhe humane edhe ligjore”, ka thënë Shala.

Shala këto i tha gjatë diskutimeve për shqyrtimin e mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Fushata e rrejshme e gjendjes ne sektorin energjetik, manipulimi me shifra, pasqyrimi vetëm i importeve dhe fshehja e eksporteve, raporti politik pa u konsultuar me parlamentin, marrja e vendimit final për rritje të energjisë. Këto mjaftojnë që ky bord vetë të dorëheqje e jo ne të bëjmë kërkesa për shkarkimin e tij. Këto janë fakte të mjaftueshme për ta shkarkuar sot ketë bord dhe për ta zgjedhur një bord të ri të pavarur”, ka thënë ai.

10 deputetë të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës me 27 maj të këtij kanë parashtruar mocion për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme është duke e shqyrtuar mocionin e LDK-së.

Kryesues i Bordit në ZRRE është, Ymer Fejzullahu, anëtar te Bordit janë Izet Rushiti, Selman Hoti, Lutfije Dervishi, dhe Gani Buçaj.

Rregullatori i Energjisë është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë, si pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe është i ndarë në aspektin ligjor e funksional nga çdo person tjetër fizik a juridik.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit ka vendosur ta pezullojë vendimin sipas të cilit ishte paraparë rritje e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka apeluar në Gjykatën Supreme vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës, i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.