Deputeti Shala i kërkon kryeministrit Kurti që të kërkojë falje

 

Në seancën e Kuvendit është diskutuar rreth arritjes për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë temë, deputeti nga radhët e PDK, Ferat Shala i është drejtuar kryeministrit të Qeverisë së Kosovës duke e ftuar atë që të dalë dhe të sqaroj se çka e bën të re këtë marrëveshje.

“A është marrëveshje e re a është marrëveshje e vjetër? Nëse është marrëveshje e vjetër, i nderuar kryeministër cila është e vërteta juaj që keni folur tash e 9 vite, a është e vërtetë që kjo marrëveshje e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës edhe në fushën energjetike edhe në fusha tjera?”, ka thënë ai teksa i ka rikujtuar Kurtit se ai më parë nuk e ka përkrahur një marrëveshje të tillë.

“Nëse është marrëveshje e re, kryeministër na thuaj të lutem çka ka ndryshuar nga ajo e vjetra që 9 vjet e ke sharë, fyer, denigruar gjithë subjektet tjera që kanë qenë pjesë aty dhe akterët deri në bazën e tradhtisë”, ka thënë Shala.

Ai tutje ka kërkuar nga kreu i qeverisë që të kërkoj falje në rast se ai nuk ka sqarime të qarta për këtë çështje.

“Ju kërkoj me përgjegjësi njerëzore dhe morale që do të duhej të na jepni sqarime sot. Nëse nuk keni sqarime të duhura, do të duhej sot të na kërkonit falje për gjithë atë që keni thënë tash e 9 vjet për këtë marrëveshje që sot po e riktheni në tavolinë pa asnjë ndryshim…”.

Gjatë ditës së djeshme, nga ana e i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirolslav Lajçak u konfirmua se u arrit pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes për energji dhe përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.