Salla e Parlementit të Serbisë

Deputeti serb jep dorëheqje pasi u incizua duke shikuar pornografi gjatë debatit për Kosovën

Deputet serb i Partisë Socialiste, Zvonimir Steviq, ka dhënë sot dorëheqje nga posti i tij pasi u incizua duke shikuar pornografi gjatë një debati parlamentar për Kosovën.

Një video e filmuar gjatë debatit tregonte Zvonimir Steviqin të shpërqendruar, raporton Politico.eu.

Në pamje, ai shihej duke shikuar një seri videosh pornografike, derisa presidenti, Aleksandar Vuçiq, i kërkoi Parlamentit serb që të normalizojë lidhjet me Kosovën në mënyrë që Serbia të vazhdojë rrugën e anëtarësimit në BE.

Video nuk u pëlqeu shefave të Steviqit.

“Ky është një skandal dhe një fatkeqësi. Zvonko, është realiste të japësh dorëheqje. Ju nuk mund të qëndroni më deputet, sepse nuk mund të merreni me këtë” – i tha Steviqit Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm serb dhe lider i Partisë Socialiste.

“Kudo që të paraqitesh, çfarëdo që të thuash, do të jesh gjithmonë një deputet porno” – shtoi Daçiq.

Thuhet se Steviqi u përgjigj: “Unë jam ushtar partie, do të bëj atë që kërkoni” dhe dha dorëheqjen.

Steviq ishte kryetar i Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb.

Steviq kaloi më shumë se një minutë duke parë dhe shfletuar përmbajtje për të rritur në telefonin e tij. Ai u kap në flagrancë dhe një klip më vonë qarkulloi në Twitter.