Deputeti në arrati, dështon për një votë Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin në parim të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani tha se vetëm 60 deputetë kanë marrë pjesë në votim dhe kjo pikë do të votohet sërish në seancën e radhës.

Projektligji nuk u miratua për një votë ndërsa me kërkesë të shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, votimi u desh të përsëritet për shkak se ai pretendonte që ishte bërë gabim teknik gjatë numërimit të votimit të parë.

“Nuk jam kundër që të përsëritet, por këta e kanë një deputet në arrati,” ironizoi shefi i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, duke aluduar në mungesën e deputetit Etem Arifi, i cili është shpallur në kërkim nga gjykata për ta vuajtur dënimin.

Bedri Hamza, nga PDK tha se janë të gatshëm që të ulen dhe t’i harmonizojnë dhe t’i vendosin propozimet që janë në përkrahje të sektorit privat dhe kategorive tjera që janë nevojë.

“Nëse është në pyetje vetëm tërheqja e 10 % të kursimeve pensionale ne propozojmë që të na sjellet amandamentimi i ligjit për fondin e kursimeve pensionale dhe në të njëjtën ditë të kryeht e të përfundohet”, tha ai.

Hamza tha janë të gatshëm të kontribuojnë.

“Besoj edhe LVV ka propozime të mira dhe të vijmë me një ligj që i adreson nevojat dhe kërkesat e ekonomisë”, tha Hamza.

E ministrja e Financave Hykmete Bajrami, kërkoi që të votohet ligji në lexim të parë.

“Jemi të gatshëm të shkojmë amandamente të reja që ligji të jetë më i implementueshëm. Ju bëjë thirrje ta votojmë ligjin në lexim të parë”.

Bajrami kërkoi që të ulen së bashku dhe ti inkorporojnë komentet dhe vërejtjet.

“Por gjithmonë por duke u nis nga gjendja financiare sepse opozita e jep luksin me premtu shumë sepse nuk e merr pastaj përgjegjësine me i ekzekutu”, shtoi ajo.

Kurse Hamza kërkoi që të vendoset dicka përmbajtësore sepse sipas tij e dinë gjendjen ku janë bizneset e vogla dhe cila është gjendja e të punësuarve në seaktorin privat.

“Nëse ka nevojë me u tërhek mjetet e trustit sjellne ligjin dhe një nen të ri që u lejon këtyre njerëzve ta tërheqin 10 për qind. Po deri ne 10 mijë euro kush ka kontribute që maksimalisht i bjen me i tërheq 1 mijë euro t’i rimbursohen këto mjete brenda 5 vjete”, shtoi Hamza.

Hekuran Murati nga LVV tha se qeveria sa herë nuk mund ti kryej punët e veta do të sjellë projektligje të tilla.

“Po tentohet që të hapet dera fillimisht që do të ja u japin 10% por mund ti garantoj qytetaret nuk do të ndalojë këtu. Qeveria saherë nuk mund ti kryej punet e veta do të sjellë projektligje të tilla. Nuk kanë bërë kurgjo me ju ndihmu qytetarëve.  Paret po doni me i rujt, deficitin nuk po doni me shfrytëzu për qytetarët kur e kërkuar miratmin e deficitin  thatë që do ti ndihmojmë qytetarët”, shtoi ai.

Murati tha se pozita I ka vetëm 41 deputet.

“Do të merrni kredi për shtrimin e asfalltit, për më i kry rrugët që ja hapin koridorit Serbisë. Është ikje prej përgjegjësisë më thanë që kuvendi po e bllokon punën, ju si pozitë i keni vetëm 41 deputet asnjë më shumë”, shtoi Murati.

Edhe Arben Gashi kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se janë të gatshëm t’i diskutojnë të gjitha që nga emërtimi i ligjit.

“Ju ftoj që ta kalojm në lexim të parë dhe të gjitha shqetësimet e juaja do t’i adresojmë përmes amandameteve, por ju lus ta votoni sepse jemi në një pikë shumë të rëndësishme”, tha Gashi.

Kërkesën e njëjtë e kishte edhe AAK-ja. Daut Haradinaj kërkoi nga deputetët të kalojë ky ligj në lexim të parë.

“Një thirrje për kolegët e mi deputet që në lexim të dytë çdo vrejtje kritikë, do t’i përkrahim opozitën. I falenderoj edhe Qeverinë që kanë pasur kohë sot më ardhë në Kuvend, kjo është një sinjal i mirë”, tha Haradinaj.