Deputeti Murati me projektligj që e ndal monopolin në homologim të veturave

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Hekuran Murati nga Lëvizja Vetvendosje, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se është përgatitur projektligji për ndryshim të Ligjit për Automjete.

“Sot, si deputet, kam kënaqësinë t’ju njoftoj që kemi përgatitur projektligjin që ndryshon Ligjin për Automjete dhe, bashkë me dokumentet përcjellëse, të hënën do ta dorëzoj në administratën e Kuvendit si nismë ligjore në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Murati.

Ai tutje ka shkruar se para një viti kishte dorëzuar në Kuvend peticionin që kërkonte heqjen e obligimit për homologim.
“Meqenëse Kuvendi u shpërnda vetëm pak ditë më vonë dhe vendi shkoi në zgjedhje, kjo çështje nuk arriti të trajtohej.Ndërkohë, unë vendosa që t’i bashkohem Lëvizjes Vetëvendosje! dhe të garoj në zgjedhje”, ka shkruar Murati.

Ai tutje ka bërë të ditur se me këtë ndryshim të ligjit, sipas tij do të ndalet zhvatja prej 4 milionë euro në vit që u bëhet qytetarëve në emër të një procedure që nuk ka vlerë të shtuar për ta.