Deputeti Lushtaku thotë se anëtari i bordit të RTK-së është takuar me pjesëtarë të kabinetit të Kurtit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se anëtari i Bordit të RTK-së, Driton Hetemi, është takuar me zëdhënës të Qeverisë Kurti.
Lushtaku ka ngritur dyshime se këto takime mund të ndikojnë në politikëbërjen e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Deputeti e ka pyetur Driton Hetemin për çfarë është biseduar në këto takime.
“Ka pasur edhe takime. Zotëri Driton Hetemi ka pasur takim më zëdhënësin e Qeverisë, dhe fatkeqësisht apo fatmirësisht unë isha aty. Ish dashtë me m’përshëndetë. Dëshiroj të marr informacione se cilat ishin bisedat meqenëse nuk ka pasur njoftim për takim zyrtar dhe ka pasur indikacione që kemi marrë obligime nga Kurti përmes zëdhënësit të Qeverisë” – ka thënë Lushtaku.
Deputeti i PDK-së nuk ka përmendur emër se më kënd e ka parë Hetemin në takim.
E lidhur më këtë, anëtari i bordit të RTK-së, Driton Hetemi, ka thënë se ai ka qenë një takim rastësor.
“Po, është e vërtetë. Ai ka qenë takim komplet rastësor. Unë kam pasë takim më zonjën Arta Berisha që është anëtare e bordit dhe e kam taku me zotërinë Isufi të cilin unë nuk e njoh, ka qenë ajo dita e parë që e kam taku dhe asnjëherë tjetër. Kështu që në këtë kontekst me u taku përballë objektit të Qeverisë apo Kuvendit nuk po besoj që kishim ngjallë dyshime. Aty ka pasë shumë deputetë” – është përgjigjur Hetemi.
Në raportimin e bordit të RTK-së në Kuvend lidhur me punën gjashtëmujore të bordit, Lushtaku ka ngritur edhe çështje të tjera.
Lushtaku e ka pyetur kryetarin e bordit, Besnik Boletinin, se cila është lidhja e tij me Avni Zogianin, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Avni Zogianin shef nuk e kam. Absolutisht jo. Nuk e di pse po bëhet kjo pyetje” – është përgjigjur Boletini.
Tutje Lushtaku ka pyetur se pse në mbledhje të Komisionit parlamentar vijnë vetëm disa anëtarë të bordit e jo të gjithë.
Për këtë Boletini ka thënë se anëtarët e bordit shkojnë në raportim varësisht nga fusha për të cilën janë më kompetentë. “Në mbledhjen e kaluar me sa e di kanë qenë të gjithë. Kurse në komisionin për buxhet i marr disa anëtarë që janë të fushës së financave. Nuk ka ndonjë arsye tjetër” – ka thënë ai.
Bordi i RTK-së ka raportuar për punën gjashtëmujore të vitit 2022 në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.