Deputeti i VV-së rezulton pozitiv me COVID-19

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitim Uka, ka njoftuar se pas testimit ka rezultuar pozitiv më virusin COVID-19.

“Që nga e diela më janë shfaqur simptoma të Covid-19. Me rekomandim të mjekut jam izoluar dhe kam respektuar këshillat me përpikëri. Pak më herët kam pranuar telefonatën nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për të më konfirmuar se rezultati i testit tim për Covid-19 është pozitiv”, ka shkruar Uka në facebook.

Deputeti Uka ka njoftuar se edhe bashkëshortja e tij ka simptomat e njëjta me të.

“Sikurse unë, edhe Yllka ka simptomat e njëjta. Ndërkaq, në këtë periudhë izolimi, për ne po kujdeset Bindi, me dashni e “këshilla profesionale”. Ju falënderoj të gjithëve për dashninë dhe kujdesin që po tregoni për ne në këtë periudhë jo të lehtë”, ka shkruar ai.

Deputeti i LVV-së ka sugjeruar qytetarët që t’i ndjekin rekomandimet dhe të tregojnë kujdes.

“Kushdo që ju thotë se është lehtë të ballafaqoni Covid-19, ju gënjen. Kështu që, ndiqni rekomandimet e IKSHPK-së dhe ruani shëndetin tuaj dhe të familjes”, ka theksuar ai.

Në Kosovë deri më tani janë paraqitur 6,286 raste me të infektuar me COVID-19,  nga ta janë shëruar 3,369, ndërsa kanë vdekur 150 persona.